Endri Shabani, themeluesi i “Nisma Thurje” ka folur për shqetësimin që ka bërë bashkë aktivistët që në vitin 2014. Në intervistën për emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News, u shpreh se pabarazia ka ndikuar tek krijimi i lëvizjes që në zgjedhjet e vitit 2021 do të marrë pjesë si parti politike.

Shabani thotë se nuk mund të presin që njerëzit të kenë besim tek Basha që të rrëzohet ‘fenomeni Rama’, ndaj thotë se e urren mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri.

“Rama duhet të ikë si fenomen dhe për këtë Lulzim Basha duhet të ofrojë alternativë, pra duhet ti japë qytetarëve besimin se do të jetë ndryshe dhe do të qeverisë më mirë. Nëse ka qytetarë që e besojnë këtë, duhet të votojnë për Bashën. Fatkeqësia është që shumë qytetarë nuk e besojnë këtë sepse Basha nuk është hera e parë që konkurron. Në 2017 nuk arriti të bindte qytetarët, në 2019 nuk u fut fare në zgjedhje. Ne nuk mund të presim pafundësisht Bashën që të fitojë besimin. Mendojmë që duhet të futemi në lojë. Kemi pritur gjatë në fakt. Por tashmë po na ikën jeta, kemi 30 vjet që presim që të bëhet vendi.

E urrej mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri. Edhe tani nuk më rri mirë ky kostumi i partisë. Kur më thoni parti, më rrëqethet mishi. Ky është realiteti dhe këto janë rregullat e lojës, është e pamundur të dalim me kandidatë të pavarur. Nga ana tjetër, qytetarët në mënyrë dërrmuese, propozimi ka qenë futuni si subjekt në zgjedhje”, tha Shabani.

I pyetur se nga çfarë vuan partia e re e krijuar, thotë se nuk arrijnë të mbrojnë dot aktivistët që kanë frikë nga reagimi i pushtetit.

“Vuajmë vetëm nga një gjë. Nuk arrijmë dot të mbrojmë aktivistët tanë. Kemi shumë njerëz që janë të pavarur, janë kapacitete intelektuale që nuk dalin me “Nismën Thurje” pasi kanë frikë nga reagimi i pushtetit. Është kosto që shumë prej nesh e kemi marrë dhe të tjerë ngurrojnë ta marrin”, tha Shabani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko