Është zbardhur dëshmia e 26-vjeçarit Julian Gjoshi, i cili vrau me armë zjarri më 1 dhjetor në një lokal në zonë e Ndroqit, Alfred Dedjan.

Pas dorëzimit në polici, Julian Gjoshi ka thënë se e ka kryer vrasjen pasi Alfredi e ofendonte tek persona të tjerë.

Sipas tij, gjatë kohës kur kanë qënë shokë, ai e ka ndihmuar Alfredin dhe nuk e priste nga ai që ta shante pas krahëve.

“Më shante nëpër tavolina. Unë e mora vesh që ai më shante dhe nuk e durova dot këtë gjë, pasi unë e kam mbajtur atë. Ai nuk mund të më shajë mua. Të dielën shkova për drekë te lokali në Ndroq dhe sa e pashë Alfred Dedjan, e qëllova me armë”, ka thënë ai para policisë.

NGJARJA

50-vjeçari Alfred Dedja u ekzekutua me armë zjarri brenda në një lokal në Ndroq të Tiranës pasditen e se dieles, 1 dhjetor. Ndërkohë, autori Julian Gjoshi, njihet më së shumti si kunati i Altin Hajrit (vëllai i gruas së Hajrit), pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i kërkuar, i akuzuar dhe i hetuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janarin e 4 vjetëve më parë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, brenda ambienteve të lokalit “Kështjella”, ku mësohet se viktima ishte edhe banor i zonës dhe në lokal ndodhej si klient. 50- vjeçari njihej edhe me pseudonimin “Daku” dhe viteve të fundit jetonte mes Italisë e Shqipërisë.

Makina si dhe i gjithë momenti i krimit të rëndë është fiksuar jo vetëm nga kamerat, por edhe nga dëshmitarët e shumtë okular, të cilët nuk kanë mundur as t`i japin ndihmën e parë Dedjas, pasi u tha se kishte ndërruar jetë në vend.

Dedja dhe autori 26 vjeç sipas të dhënave kanë pasur njohje të mëhershme me njëri-tjetrin, ku Dedja bëhet me dije se ka punuar para disa vitesh edhe në kompleksin e Altin Hajrit, kompleks në të cilin u mbajt trupi i pajetë i Jan Prengës, deri në momentin që u nxor nga aty dhe u zhduk.

HETIMET DHE DYSHIMET

Referuar të dhënave paraprake bëhet me dije se pista e parë në të cilën janë fokusuar hetimet është përplasjet për prishje pazaresh. Nuk bëhet me dije se për çfarë pazaresh bëhet fjalë por policia ka nisur verifikimin e aktivitetit të të dy personave, si të viktimës, ashtu edhe të autorit.

Ku i fundit, më herët ka qenë i prangosur për armëmbajtje pa leje, por është liruar në rrethana të dyshimta. Në hapjen e komunikimeve Sky ECC për llogari të dosjes së deputetit të Partisë Socialiste të vënë në pranga pak ditë më parë, u mësua se miqësia mes Altin Hajrit, një prej emrave më të njohur dhe të akuzuar në botën e krimit sot, dhe deputetet Jurgis Çyrbja u vu në provë edhe me ndërhyrjet për të liruar nga qelia kunatin e Altin Hajrit, i cili ishte nën hetim dhe nën arrest. Dhe, në fakt, Gjoshi ka rezultuar i lirë, ndërsa Dedja ka precdentë të shumtë, por edhe ai ka qenë i lirë.

Policia përveç pamjeve filmike ka në duar skedat personale të autorit dhe viktimës, njohjet e tyre, dëshmitë nga vendi i ngjarjes dhe disa fakte dhe prova të tjera. Mësohet se viktimës, Alfred Dedja i ka gjetur një pistoletë me vete, ç’ka ngre dyshime që ai ka qenë duke u ruajtur prej dikujt. I është sekuestruar telefoni për të parë, nëse në atë lokal, Dedja ka dalë nga ndonjë thirrje e kryer nga vetë autori i krimit të rëndë.

Skeda e autorit

Julian Gjoshi nuk është emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i arrestuar më 19 janar 2021 për armëmbajtje pa leje. Në atë kohë 23 vjeç, Julian Gjoshi u prangos nga forcat “Shqiponja”, në Tiranë, teksa lëvizte me makinë. Kapja e këtij shtetasi u bë në bulevardin “Gjergj Fishta”, gjatë kohës që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/ l.

“Shërbimet e Policisë kishin marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin Julian Gjoshi dhe pasagjer shtetasin E. B., poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë fakt dhe nuk ka kallëzuar në organet kompetente”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës për atë ngjarje. Por Gjoshi është liruar pak kohë më pas.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re