Kryeministri i Kosovës Albin Kurt tha se qeveria e Kosovës nuk ka vendosur që të mos mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë më 3 prill, por se nuk ka marrëveshje të mëparshme mes Kosovës dhe Serbisë për mbajtjen e tyre.

Në një konferencë për media në Prishtinë, të mbajtur pas seancës së qeverisë, ai tha se nuk pajtohet që marrëveshja të lidhet në kuadër të korrespondencës së propozuar ndërmjet oficerëve ndërlidhës të Serbisë dhe Kosovës.

“Ne prisnim një shkëmbim normal të letrave, kërkesave të tyre, por kjo nuk ndodhi. Bashkimi Evropian nuk u kënaq me faktin se nuk pranova që gjithçka të përmbyllet në kuadër të sugjerimit të shkëmbimit të letrave ndërmjet oficerëve ndërlidhës”, tha Kurti.

“Të vetëdijshëm për pasojat e vendimit”

Ai ka thënë se nuk e di se sa do të ndikojnë në dialog ngjarjet rreth zgjedhjeve në Serbi, por se Kosova është e gatshme të angazhohet kur të marrë ftesë për një raund të ri të bisedimeve në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës vlerësoi se protestat e paralajmëruara të serbëve të Kosovës për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk do të kontribuojnë në marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj se duhen protesta për këtë çëhtje. “Do t’i kuptoja plotësisht serbët, qytetarët e Republikës së Kosovës, kur do të protestonin kundër korrupsionit, për çështje sociale, për arsim dhe shëndetësi më të mirë, por të protestosh që zgjedhjet serbe të mbahen në objekte shkollore nuk është korrekte”, tha Kurti. .

Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë që të mos marrin pjesë në protesta.

Ai tha gjithashtu se zyra e tij është e hapur për të gjitha ankesat për çdo shkelje të të drejtave të tyre.

Quint-i, i zhgënjyer me vendimin e Kosovës

Vendet e Quint-it në një deklaratë të përbashkët deklaruan se janë të zhgënjyer me vendimin e autoriteteve të Kosovës për të refuzuar propozimin e bërë nga ata lidhur me votimin në territorin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme serbe më 3 prill.

“Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar intensivisht gjatë muajve të fundit me qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 3 prillit 2022 në Serbi”, thuhet në deklaratën e Quint-it, të publikuar në faqen e Ambasadës Amerikane në Serbi.

Sipas tyre, Quint-i pranon të drejtën e qeverisë së Kosovës që “të vendos nëse do të lejohet apo jo votimi në zgjedhjet e një shteti tjetër” dhe vlerëson “disponueshmërinë e Serbisë në kërkimin e zgjidhjes”, por e mirëpret me shumë zhgënjim vendimin e qeverisë së Kosovës që refuzon propozimin konstruktiv.

Sipas pesë shteteve, një vendim i tillë “dështoi të tregojë përkushtimin e Kosovës ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare”.

“Një qëndrim i tillë i qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe cenon aspiratat e tyre evropiane”, tha Quint-i.

“Veproni në interes të të gjithë qytetarëve”

Ata presin që autoritetet e Kosovës t’u përmbahen vlerave dhe përgjegjësive kyçe ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojnë proceset demokratike, si dhe të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të grupeve minoritare.

Quint-i gjithashtu pret që institucionet e Kosovës të veprojnë në interes të të gjithë qytetarëve të tyre, të punojnë për të ulur tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së.

“Kjo është thelbësore për të arritur progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila në fund do të hapë perspektivën e BE-së për Kosovën. Ripërsërisim thirrjen tonë të fortë për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rrit tensionet dhe mund të çojë në incidente”, thanë anëtarët e Quint-it.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re