26 shkurt Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim me qytetarët në Berat se, sot kemi më shumë biznese të vogla në Republikën e Shqipërisë se ç’kishim në janar të vitit 2020, para së sa të fillonte goditja e pandemisë.

“Pandemia na dha një shtysë të rëndësishme për të hedhur një hap shumë të guximshëm që faktikisht është një hap që i tejkalon të gjitha zotimet tona në lidhje me biznesin, sepse siç ndodh zakonisht kur ka një krizë, krijohet edhe një mundësi. Krijohet mundësia për t’i parë gjërat ndryshe edhe mundësia për të shfrytëzuar krizën dhe për të dalë më të fortë prej saj. Ky hap është zerimi i taksës së fitimit dhe zerimi i TVSH-së për të gjitha bizneset me një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit dhe zerimi i tatimfitimit, i taksës mbi të ardhurat për të gjitha bizneset deri në 140 mijë dollarë në vit”.

“Kur ne kemi marrë detyrën biznesi i vogël, çdo biznes me një xhiro mbi 20 mijë dollarë në vit tatohej 10%, plus 20% TVSH. Ne morëm masën e parë, siç e kishim premtuar, të përgjysmimit të tatimit e çuam në 5% dhe sot është aktive masa e lajmëruar vitin e shkuar si rezultat i reagimit ndaj pandemisë në mbështetje të biznesit për taksa zero”, tha Rama.

“Unë isha në disa njësi biznesi të vogël këtu në Berat, i takuam dhe është një mbështetje e madhe sepse faktikisht shteti heq dorë nga çdo akses në fitimin e biznesit të vogël dhe ato që deri dje i merrte shteti, sot janë aty për familjet, për të punësuarit dhe disa prej tyre dëshmuan, dhe siç dëshmojnë të gjithë që po të mos ishte marrë kjo masë do kishin qenë të detyruar të hiqnin njerëz nga puna. Ndërkohë që nuk kanë hequr njerëz nga puna”, tha Rama.

Dhe, shtoi kryeministri, “ajo që na rezulton është që ne sot kemi më shumë biznese të vogla në Republikën e Shqipërisë se ç’kishim në janar të vitit 2020, para së sa të fillonte goditja e pandemisë. Pse? Për një mijë e një arsye patjetër, por kjo është arsyeja themelore. Biznesi është inkurajuar”.

“Për biznesin e madh ne nuk do të ulim tatimin mbi  fitimin. Tatimi mbi fitimin për biznesin e madh ka qenë është dhe do të mbetet 15%, të paktën për një periudhë kohe. Pastaj nëse do të krijohen mundësitë për ta ulur pse jo. Por ama, është shumë e  rëndësishme që të bëhet e qartë për të gjithë që ka një ndarje të prerë mes nesh dhe alternativave të tjera. Sepse ne jemi që ata që fitojnë më pak të paguajnë më pak dhe ata që fitojnë më shumë të paguajnë më shumë”, theksoi Rama.

Por, nënvizoi kryeministri, “biznesin e madh nuk e kemi lënë pa mbështetur në disa forma. Kemi mbështetur në radhë të parë punëtorët, punonjësit në sipërmarrjet e mëdha me paketën e mbështetjes. Kemi mbështetur turizmin me një paketë specifike dhe kemi mbështetur të gjitha industritë prodhuese që nga fasonët e me radhë. Për të mos i lënë vetëm”.

“Sot po të shohim konsumin jemi kthyer në shifrat e konsumit të përpara pandemisë. Pse? Sepse është injektuar shumë para në ekonomi. Është injektuar përmes paketave të mbështetjes. Është injëktuar përmes gjithë programit të rindërtimit. Kini parasysh vetëm në programin e rindërtimit punojnë dhe ushqehen me pagë nga programi 25 mijë familje. 25 mijë individë janë punësuar vetëm nga programi që çojnë paratë në familje”, u shpreh Rama. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re