Viti 2021 u karakterizua nga një rritje e përdorimit të kartave të debitit nga qytetarët, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kartat e kreditit.

 

Nëse grupi i parë njohu rritje me 2.4%, për kartat e kreditit u shënua një rënie në nivelin e 2.1% për herë të parë pas disa vitesh, sipas të dhënave vjetore të Bankës së Shqipërisë.

 

Zgjerimi i kartave të debitit, që përdoren kryesisht për të tërhequr pagat, sipas ekspertëve shihet si një tregues pozitiv për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit.

 

 

ARTAN GJERGJI

EKSPERT I TREGJEVE FINANCIARE

“Kjo rritje, në gjykimin tim, tregon një farë rritje të nivelit të formalizimit të ekonomisë, do të thotë më tepër biznese deklarojnë më saktë pagesat e punonjësve të tyre, mund të ketë një zgjerim të punësimit.”

 

Ndërsa rënien e kartave të kreditit ekspertët e lidhin jo vetëm me dëshirën e konsumatorëve për të kursyer në kohë krizash, por edhe me normat e larta të interesit që bankat aplikojnë.

 

 

ARTAN GJERGJI

EKSPERT I TREGJEVE FINANCIARE

 

“Kartat e kreditit kryesisht janë instrumentë që të lejojnë të shpenzosh përtej mundësisë që ti ke. Fakti që njerëzit e kanë rrudhur dorën, janë treguar më konservatorë për konsumin, është pasqyruar edhe te pjesa e të dhënave për kartat e kreditit. Karta e kreditit ka kostot e saj, është një lloj kredie sepse të jep mundësinë përtej gjendjes që ke. Atë diferencën që të mungon, e plotëson me paratë e bankës, për të lehtësuar pagesat dhe për të rritur përdorimin e produktit, bankat aplikojnë një periudhë kur falen interesat nga 30 deri në 45 ditë. Nëse mbyllet brenda 30 ditëve, nuk aplikohet asnjë lloj interesi. Ndërsa nëse individit i duhet më shumë kohë, ka një kosto për këtë dhe nis aplikimi i normave të interesit. Këto norma për kartat e kreditit janë më të larta dhe ndoshta pikërisht prej faktit se banka ju jep një periudhë kohore pa interesa.”

 

Por edhe pse pagesat me karta zënë vendin kryesor të përdorimit të instrumentave të pagesave, përkatësisht 55.57% në numër, ka një evoluim të shërbimit online, veçanërisht pas pandemisë.

 

Vitin e shkuar pagesat e kryera përmes shërbimit mobile banking njohu rritje në nivelin e 46.8%, krahasuar me një vit më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re