Kanceri i gjirit mbetet sëmundja më e përhapur onkologjike tek gratë në Shqipëri, me qindra raste të reja që regjistrohen çdo vit. Teksa incidenca vazhdon të rritet, zhvillimet e fundit në mjekësi po sjellin mundësi të reja trajtimi dhe parandalimi të rikthimit të sëmundjes.

Në një aktivitet të zhvilluar në Tiranë, përfaqësues të sektorit farmaceutik dhe profesionistë të shëndetit prezantuan një terapi të re që synon trajtimin e kancerit të gjirit në fazat e hershme. Sipas tyre, përdorimi i protokolleve të avancuara mjekësore kontribuon në uljen e rrezikut të rikthimit dhe rritjen e shanseve për mbijetesë.

Presidentja e Novartis për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Rovena Dhroso, theksoi se qasja e duhur terapeutike i jep grave më shumë kohë dhe cilësi jetë pranë familjeve të tyre.


“Duhet të ndjehemi krenarë për hapat që janë bërë në mbështetje të pacientëve tanë. Terapitë e reja që po zbatohen në trajtimin e kancerit të gjirit të hershëm ndikojnë ndjeshëm në uljen e rrezikut të rikthimit, duke i dhënë pacienteve më shumë shpresa dhe më shumë vite jetë,”
u shpreh Dhroso.

Gjatë aktivitetit foli edhe mjeku onkolog Helidon Nina, i cili ndau të dhëna mbi situatën në vend. Vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar rreth 800 raste të reja me kancer gjiri në Shqipëri.

“Kanceri i gjirit vazhdon të jetë diagnoza më e shpeshtë tek gratë në vendin tonë, dhe shifrat rriten nga viti në vit. Kjo kërkon vëmendje të vazhdueshme, fuqizim të parandalimit dhe akses sa më të gjerë në trajtim,” tha ai.

Takimi u mbyll me thirrjen për të rritur ndërgjegjësimin, diagnostikimin në kohë dhe mbështetjen e pacienteve në çdo etapë të trajtimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re