Biletat për Kupën e Botës 2026 pritet të jenë më të shtrenjtat e të gjitha kohërave, pasi FIFA ka prezantuar një model të ri rishitjeje që përfshin një komision total prej 30% për çdo transaksion.
Ky ndryshim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët anglezë, të cilët tashmë po përballen me çmime marramendëse për ndeshjet e fazës së grupeve.
Çmimet për ndeshjet e Anglisë kanë arritur deri në 1 mijë paund, ndërsa në faqet e rishitjes një biletë për finalen e New Jersey-it për vitin e ardhshëm shitet për afro 33 mijë paund.
Tifozët thonë se ky është një çmim i papërballueshëm për ndjekjen e ekipit të tyre kombëtar në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas modelit të ri të FIFA-s, çdo blerës dhe shitës paguan nga një komision prej 15% në tregun e rivendosjes, duke rritur ndjeshëm koston e biletave që zakonisht ndryshojnë disa herë pronar.
Klubi i “Tifozëve të Anglisë”, që numëron 27.000 anëtarë, do të marrë vetëm 8% të biletave për ndeshjet e Botërorit, rreth 3.600 në disa stadiume.
Biletat e përballueshme për fazën e grupeve do të kushtojnë nga 85 paund deri në 125 paund, por numri i tyre është shumë i vogël.
“Nuk ka asnjë mënyrë që tifozët e zakonshëm të paguajnë kaq shumë për të ndjekur Anglinë. Të gjithë e dimë çfarë përfaqëson FIFA”, thonë tifozët anglezë.
Nga ana e saj, FIFA mbron modelin e ri, duke thënë se çmimet dinamike janë praktika të zakonshme në SHBA për ngjarje me kërkesë të lartë.
FIFA premton se faza e ardhshme e shitjes, që nis më 11 dhjetor, do të përfshijë oferta speciale me çmime fikse.
Finalet e Botërorit 2026 do mbahen nga 11 qershori – 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Finalja e madhe do të luhet në “MetLife Stadium”, në New Jersey.
LEXO EDHE: Doni të shkoni në SHBA për të ndjekur Kupën e Botës? Ja si të aplikoni për vizë
