Adoleshenca është një ndër moshat më delikate që vë përballë përgjegjësive të mëdha prindërit në çdo familje. Kjo është një histori e përcjellë nga BBC, e cila sjell rastin e dy nënave, të prekura rëndë nga një tragjedi. Një histori njerëzore që vë në dukje problematikën e madhe me rininë e sotme dhe kontaktin e tyre me lëndët narkotike.

BBC ka sjellë rrëfimin e Kerit dhe Tamit. E para humbi të bijën 15 vjeçe, ndërsa Tami është nëna e adoleshentit që i dha 15 vjeçares lëndën narkotike. Por ajo natë, do të shënonte fundin e jetës për 15 vjeçare.

15 vjeçarja, Lea

“Quhem Keri, jam nëna e Leas. Ajo ishte 15 vjeçe dhe humbi jetën për shkak të MDAM-së, ose siç njihet ndryshe ekstazi.”-thotë nëna e të ndjerës.

“Mora një telefonatë atë pasdite. Qëkur e mora telefonatën e kuptova… vajza ishte ende e vetëdijshme… më thirri ‘mam’. E dinte që isha atje me të. Për pak sekonda, nuk po fliste më. Nuk foli më. E që nga ai moment, nuk mbaj mend më…”-tregon më tutje nëna e 15 vjeçares.

Keri e Tami janë bërë mikesha së bashku. Nuk mbajnë urrejtje mes tyre, por përkundrazi, po mundohen të sensibilizojnë prindërit, për rreziqet që i kanosen të rinjve, veçanërisht adoleshentëve. Tami, nëna e të riut që u burgos për vdekjen e 15 vjeçares, rrëfen në lot historinë.

“Unë quhem Tami, jam nëna e një djali, i cili në atë kohë (2019) ishte adoleshent dhe i dha një vajze ekstazi (Leas).”

“Jam nëna e…. (nis të qajë) më falni, është shumë e vështirë të flas. Në atë kohë e kisha shumë të vështirë me djalin. Gjërat kishin ndryshuar, sjellja e emocionet e tij kishin ndryshuar. Po luftoja përditë me të, luftoja e luftoja duke menduar se diçka nuk po shkonte mirë me djalin”-tregoi Tami.

Të dyja nënat u takuan dhe krijuan miqësi mes tyre. I vunë qëllim vetes se duke treguar historinë e tyre, do të mund të ndihmonin në sensibilizimin e prindërve të tjerë që fatkeqësisht po përballen me të tilla fenomene me fëmijët e tyre.

“Të dyja humbëm diçka. Unë e di se sot mund ta prek e ta kem afër tim bir, por nuk e kam më atë si dikur. Ju humbët vajzën, për shka të të njëjtës drogë, për shkak të të njëtës së keqe.”-tha Tami.

E kuptoj kur njerëz të njohur më thonë… pse po shkon të takosh nënën e atij djali? Por mendoj se takimet na kanë bërë të dyjave mirë. Edhe ti kalove shumë…”-tha nëna e viktimës, ndërsa Tami iu përgjigj “Një ndjenjë faji të madhe… mendoja me veten, çfarë gabova, që im bir të kishte të bënte me vdekjen e një vajze”

Djali i Tamit, Konor, u dënua me 21 muaj burg vitin e kaluar, ndërsa gjykata argumentoi se i riu po shfrytëzohej nga grupe trafikantësh droge. Konori ishte 17 vjeç kur ndodhi tragjedia. I riu u lirua pas afro 6 muajsh burg për sjellje të mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re