Kryeministri Edi Rama ka mbajtur Asamblenë e Përgjithshme në Vlorë, ku ndër të tjera i tha socialistëve, se nuk duhet ta pyesin më atë, se pse kryebashkiaku, Ermal Dredha merr në punë mbështetës të Partisë Demokratike.

Sipas tij, nëse ata janë të aftë, atëherë nuk duhet të ketë asnjë pikëpyetje dhe nuk duhet hequr mundësia për të punuar në administratë edhe “kundërshtarëve”.

“Marr ca sms anonime, i kishin harruar ca kohë, tani i filluat prapë. Në këto sms anonime më thonë pse Ermali kërkon të marrë në parti demokratë. Kush i bën këto sms e ka gabim, dhe Ermali ka të drejtë, në parim flas. Nuk duhet të mërziten pse demokratët merren në punë kur janë demokratë. Për këtë arsye është shumë e pakuptimtë që të merremi më këtë pjesë. Ana tjetër është që për hir të së vërtetës, pas kaq vitesh në qeveri, s’besoj se ka mbetur njeri pa i dhënë hakun. Sigurisht ka pasur njerëz, dhe mund të ketë akoma që nuk e kanë merituar me punën e tyre atë besim që u është dhënë, dhe këta njerëz duhet të vihen para përgjegjësisë. Por ndarjen socialistë dhe demokratë kur vjen puna te kontributi që gjithsecili mund të japë në një bashki, askush nuk duhet ta bëjë” tha kryeministri.

Rama njoftoi dhe 8 dhjetorin si datë kur do të mblidhet kongresi i PS-së duke vënë theksin tek një parti me forume shumë të hapura që do e bëjë më të fortë dhe më të re në mënyrën e funksionimit.

“Ne do të shkojmë në kongresin e partisë në 8 dhjetor dhe do të diskutojmë konkluzionet e të gjithë takimeve dhe ka gjëra që duhet ti shohim në sy. Nuk mund të presim që të humbasim për tu përmirësuar. Fakti që ne kemi fituar 8 zgjedhje resht lidhet ndër të tjera me faktin që pas çdo fitoreje zgjedhjeje kemi nisur nesër punën për të parë çfarë të përmirësojmë” shtoi  ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re