Mbyllja e vendit për shkak të pandemisë, sipas Ministrisë së Kulturës, ka shkaktuar humbje financiare përgjatë dy muajve. Në emisionin “Në fokus”, në TvT, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se përllogaritet që kjo humbje të jetë afërsisht 29 milionë lekë.

“Një përllogaritje që bazohet në të ardhurat e vitit të kaluar, kur pari mbi 1 milion vizitorë në sitet e Shqipërisë dhe përllogaritje statistike duke marrë parasysh edhe rritjen e biletës për vitin 2020. Gati 29 milionë lekë humbje, por është shifër që nuk mund të konsiderohet e plotë”, tha ajo.

Margariti tha se duke filluar nga e hëna e javës tjetër, do të nisë hapja e muzeve dhe parqeve arkeologjike në përputhje me masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa shtoi se po shqyrtohet si opsion ai i teatrove dhe kinemave të hapura.

“Do të fillojmë me muzetë dhe parqet arkeologjike. Teatrot dhe kinematë, ende nuk e kemi një datë të mirëpërcaktuar sepse vetë dinamika e pandemisë është në studim. I kemi kërkuar Task Forcës së Ministrisë së Shëndetësisë që disa aktivitete të zhvillohen online. Ka opsione për disa aktivitete në qiell të hapur. Mendoj do të ishte një zgjidhje ajo e teatrove dhe kinemave të hapura. Po punojmë për këtë dhe jemi në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha ajo.

Sa i takon Teatrit Kombëtar, Margariti tha se kalimi në pronësi të Bashkisë së Tiranës nuk do të thotë tjetërsim funksionesh. Ajo shtoi se kjo çështje është politizuar, çka e ka tjetërsuar funksionin e artit dhe kulturës.

“Më vjen keq që është kthyer në një debat politik. Arti dhe kultura qëndrojnë përtej politikës dhe janë urë komunikimi. Më vjen keq që qasja politike e kësaj teme e ka kthyer në një moment ndarjeje. Koha do ta tregojë se ata që krijojnë ura mes arti dhe kulturës do të jenë gjithmonë përtej politikës”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re