“Një javë para se të më lëshojnë prej spitalit, një mjek shumë i ri, e falenderoj se ishte shumë i mirë, më tha…po shkon pa këmbë në shtëpi, por më mirë që po shkon, se edhe 5 ditë po të qëndroje në spital atje (Prishtinë), ti nuk do të ishte gjallë”

Kështu e nis rrëfimin Remzi Rashica, oficer i policisë me origjinë nga Vushtrria. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Remziu tregon se teksa po merrej me një pemë në shtëpi, u rrëzua e për pasojë theu këmbën, ngjarje e cila ndodhi në qershor të vitit 2018.

59 vjeçari tregon se gjatë trajtimit në klinikën ortopedike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë, atij i është infektuar këmba.

“Më kanë operuar, shumë ka zgjatur [operacioni], 4-5 orë më duket. Më kanë çuar në dhomën time. E kam dëgjuar një mjek, vetë ka thënë ai, por nuk e di cili është… po frikësohem, ishalla nuk i infektohet. Për çfarë arsyeje, nuk e di. Veç e kam dëgjuar me veshët e mi, tha: Ishalla nuk infektohet”, rrëfen ai për REL.

Oficeri tregoi se vetë mjekët që e kishin nën mbikqyrje i rekomanduan që pas ndërhyrjes të shkojë në një klinikë të specializuar për infeksionet. Remziu vendosi të shkojë në Ohër (RMV) e më tutje drejt Turqisë.

“Dy muaj [në Turqi] janë munduar, nuk mundën… Pas dy muajsh, nuk e di saktë 50-60 ditë, erdhi mjeku dhe më tha: po më vjen keq, a dëshiron të jetosh pa këmbë apo të vdesësh me këmbë? I thashë: jo, dua të jetoj. Dhe po të tregoj, unë mezi prita ta heq këmbën se u lodha”, tregon ai.

Për të stabilizuar gjendjen e tij, gjatë këtyre tre viteve të fundit, Remziut i është dashur t’i nënshtrohet afro 10 ndërhyrjeve në Turqi. Ai u detyrua që të presë, pjesë të këmbës së tij, më shumë se një herë. Shka ka qenë infektimi i parë dhe riinfektimi.

 “Herën e dytë, se dy herë ma kanë hequr [prerë] dhe, në fund, ka ardhur më ka thënë ai mjeku kryesor, po më vjen keq, duhet edhe katër gishta, me gishta e maste se nuk e kuptoja, sepse më tha ke infektim prapë. I thashë: a mund të më tregosh, dua ta di se si ka ardhur deri tek infektimi. Herën e parë, tha, kur je operuar, të është infektuar këmba”, thotë ai.

Remziu thotë se kurrë nga askush nuk mori përgjigje për shkakun e infeksionit.

Por pavarësisht kësaj sprove jo të vogël, Remziu, baba i katër fëmijëve, po pret të vendosë një protezë në këmbën e majtë, në mënyrë që të mund t’i kthehet punës së tij si polic.

Ndiqeni të plotë rrëfimin e oficerit të policisë në videon e mëposhtme.

Artikulli i përshtatur me shkurtime, burimi: REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re