Drejtori i kompanisë së naftës “Terra oil swiss”, Edmond Bejtaj, i ka kërkuar falje gazetares së Fax news Fatmira Bajramaj, pasi e ofendoi disa ditë më parë, teksa raportonte një protestë të banorëve të Visokës.

Bejtaj shprehet se nuk do të kishte dashur kurrë që të bëhej protagonist i një situate të tillë dhune, por reagimi i tij ka qenë instiktiv, dhe i nxitur nga gjendja e irrituar e banorëve që gjendeshin përballë tij.

Bejtaj:

Ajo ndjesë e kërkuar nga unë është në radhë të parë për ty, dhe për të gjithë grupin e gazetarëve, një ndjesë e sinqertë dhe me një vërejtje të lehtë, për mundësinë që kishin secila prej palëve që të tregoheshin të kujdesshme. Unë kërkova që takimi të bëhej në zyrëm dhe u detyrova që të zbrisja dhe të përballesha me një turmë banorësh të acaruar.

Ju duhet ta kuptoni dhe situatën në të cilën unë ndodhesha, unë duhet tiu kërkoj juve njëlloj përgjegjësie për menaxhimin e situatës, unë nxora një frazë të gabuar, dhe ju ishit në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, e megjithatë ajo ndodhi. Jeni ofenduar ju dyja të parat, ndihem i ofenduar dhe unë, ndihen të ofenduar dhe shoqata gazetarësh, shoqata grash, të cilat panë një lloj dhune verbale, nga një person që është i veshur me një lloj pushteti.

Unë nuk mund ti shpëtoj përgjegjësisë, ama kur zihen dy veta askush nuk është pa faj, unë përgjegjësitë e mija i kam gjetur dhe i pranoj, dhe për këtë iu kërkoj ndjesë. Atyre që janë bërë spektatorë së largu iu tërheq vëmendjen, pasi janë të paaftë që të vlerësojnë kushtet në të cilat ka ndodhur ajo situatë.

Më vjen keq që bëhem i famshëm për një episod dhune, ndërkohë që jam i famshëm për qytetarinë. Ky është një objekt privat, unë mund të kisha zgjedhur që të isha shmangur atë ditë, mos të pranoja fare të dilja, bëra një llogaritje të pasojave, që mund të vinin forcat e rendit. Unë dola me ndërgjegje përballë kamerave, nuk ishte thjesht një celular, ishte reagim instiktiv, por edhe i detyruar, çështja duhet gjykuar ashtu siç edhe ndodhi.

Te ne janë të mirëpritur të gjithë, jo vetëm gazetarët por edhe qytetarët e thjeshtë, jeni të mirëpritur të gjithë, për më tepër ndaj teje që u bëre viktima, unë nuk kam qejf që ta quaj dhunë. Ty personalisht të kërkoj falje, se je në moshën e vajzës sime, por ndodhi, na mbetet ti kërkojmë ndjesë njëri tjetrit, është në zgjedhjen tuaj, që të më kërkoni falje sadopak nëse ndiheni përgjegjës për incidentin.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re