Një shqiptar nga Kosova, me banim në Gjermani kishte ardhur në Vlorë për disa ditë pushime, por duket se planet e tij nuk kanë qenë vetëm pushimet.

Sipas policisë, Gëzim Hasani më datë 31.10.2019 kallëzoi se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”.

Policia nisi hetimet por në fund arriti në përfundimin se vjedhja e automjetit ishte inskenuar nga 29-vjeçari dhe dy të tjerë, me qëllim shitjen e tij.

“Nga hetimet e kryera, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve bënë zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku ka rezultuar se shtetasi G.H ka bërë kallëzim të rremë para organeve të policisë për arsye se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë dashur ta shesin automjetin në fjalë për qëllime përfitimi.

“Mercedes Benz S Class 63 AMG” i vitprodhimit 2019, shtetasi G.H., e kishte blerë në Gjermani me këste nga një kompani.

Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.”, thotë policia.

Në përfundim të veprimeve, u bë ndalimi i 29 vjeçarit, nga Kosova por me banim në Gjermani, si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, një italian me inicialet M.C dhe një shqiptar nga Kosova me inicialet F.H.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re