Me sëmundjen ngjitëse të zgjebes ose siç njihet në gjuhën mjekësore “scabies” ka shtim rastesh në vend, që konstatohen sidomos në institucionet arsimore.
“E kam kaluar unë, me puçra dhe me kruajtje”. “Unë psh. e marr te këmbët, më bëhet e kuqe pak ta kruaja… edhe më gjakoseshe”.
Dermatologët ngrenë shqetësimin mbi agresivitetin që shfaq ky infeksion kohët e fundit, teksa e vlerësojnë si emergjencë globale. Mirëpo jo të gjithë prindërit janë në dijeni, si dhe në QSUT situata nuk paraqitet alarmante.
“Nuk jam në dijeni. Nuk kam dëgjuar për infektime, vajza s’ka pasur shqetësime. Sido të sigurohemi për fëmijët se në shkollë janë të parët që mund të preken me shumë fëmijë në klasë”- shprehen prindërit.
Piku i sëmundjes duket se arrin me ardhjen e shtatorit. Edhe pse farmacistët tregojnë se pacientë që kurohen me zgjebe ka në vazhdimësi.
“Mund të themi se ka qenë gjithmonë i pranishëm në farmaci shqetësimi i pacientëve, si ata që vijnë vetë për të pyetur apo ata që vijnë pas vizitës me dermatolog apo mjekun e familjes. Sigurisht që fillimi i shkollave dhe hapja e konvikteve bën që të ketë raste të shtuar. Scabias është një sëmundje ngjitëse, zakonisht fëmijët janë ata që e sjellin në shtëpi”-shprehet farmacistja Teuta Maçi.
Gjithsesi kujdesi duhet gjithmonë, thonë specialistët. Ndaj, kërkojnë të mos ketë neglizhencë të simptomave të acarimit të lëkurës.
“Zgjebja, nëse më parë shërohej me një aplikim apo dy maksimumi, por gjithmonë e më shumë vëmë re se është rezistent, që do të thotë shërimi bëhet më i vështirë. Marrja e masave të higjienës duhet, të ruhet distancimi, të bëhet kujdes me simptomat që ka, të kërkohet ndihmë mjekësore në mënyrë që infeksioni të mos përhapet”./TCH