Gazeta franceze Le Figaro flet për aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor në Greqi, duke iu referuar përplasjes së dy trenave në lartësinë e luginës së Tempes mbrëmë.

Nuk janë bërë ende të ditura shkaqet e përplasjes së ashpër mes dy trenave, që u mori jetën të paktën 38 personave, siç raporton gazeta franceze.

Publikimi përkatës citon deklaratat e përfaqësuesit për shtyp të Shërbimit Zjarrfikës, Vassilis Vathrakogiannis, i cili theksoi se operacioni i shpëtimit është ende në vazhdim.

“Operacioni i nxjerrjes është në vazhdim dhe po kryhet në kushte të pafavorshme për shkak të ashpërsisë së përplasjes mes dy trenave”, tha zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës.

Pamjet e postuara në faqet e internetit lokale të lajmeve treguan re të dendura tymi që ngriheshin nga vagonët e dalë nga shinat pasi treni i pasagjerëve u përplas me një tren tregtar në hyrje të Luginës së Tempes, thuhet në raport.

Rreth 150 zjarrfikës dhe 40 autoambulanca po punojnë në vendin e tragjedisë. Në të njëjtën kohë, vinçat dhe inxhinierët po përpiqen të ngrenë vagonët e përmbysur për të çliruar të mbijetuarit.

Në faqen e gazetës lokale të Larisës, Onlarissa, shkruan Le Figaro, një e re e përlotur shpjegon se “treni ishte vonë dhe kishte ndalur për disa minuta kur dëgjuam një zhurmë shurdhuese”.

“Kemi përjetuar diçka tronditëse”, shpjegon Lazos, një nga pasagjerët me fat që ka rrëfyer për protothema.gr eksperiencën e tij tragjike.

“Unë nuk jam nga të plagosurit, por jam njollosur me gjakun e personave të tjerë që kanë mbetur të plagosur dhe kanë qenë pranë meje”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re