Ishte ora 03:00 e mëngjesit kur në autobanin (A1) në afërsi të Eugendorf (Austri), një autobus pasagjerësh nga Kosova pësoi një aksident. Fatmirësisht nuk pati humbje në jetë. Media austriake ORF saktëson në lajmin e saj se ka patur 19 të lënduar, tre prej të cilëve në gjendje më serioze.
Ministria e Jashtme e Kosovës ndërkohë, njoftoi pak më parë se janë 8 pasagjerë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe të gjithë ndodhen në gjendje të mirë.
“Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital. Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg, dhe do të dalë me një njoftim më të detajuar sapo të pranoj informatat zyrtare. Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.” njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës.
Televizioni austriak ORF dha ndërkohë disa detaje në lidhje me deklarimin e shoferit të autobusit përpara autoriteteve vendase. Siç shkruan ORF, shoferi ka treguar se ka parakaluar një kamion, ndërsa më pas është përballur me një pjesë në rikonstruksion të rrugës që nuk ka mundur ta evitojë, duke u përplasur kësisoj në barrierat anësore të rrugës.
“Shkaku i aksidentit duket se është saktësuar. Shoferi i autobusit i ka treguar policisë se po parakalonte një kamion. Më tutje ai është surprizuar nga një zonë ndërtimi përgjatë rrugës. Shoferi nuk ka patur mundësi që ta evitojë këtë të fundit. Ende nuk është bërë me dije nëse shoferi i ka respektuar rregullat për peridhat e nevojshme të pushimit”-shkruan media austriake.
ORF shkruan më tutje se ka qenë e vështirë që ekipet e emergjencës të mbërrijnë në vendin e ngjarjes.
“Pas orës 03:00 të mëngjesit, shërbimet e emergjencës iu përgjigjën alarmit. Një autobus nga Kosova ishte përplasur me një barrierë betoni në rrugën në drejtim të Vienës, mes kryqëzimit të Salzburg-Nord dhe Wallersee, në një zonë ndërtimi. Ishte e vështirë për shërbimet e emergjencës që të mbërrinin në vendin e ngjarjes, pasiqë kahu tjetër ishte i bllokuar”-shkruan media austriake.





Më pas ORF citon Christian Putz, shefin e departamentit të zjarrfikësve
“Shërbimet e emergjencës që vinin nga krahu i Eugendorf mundën të shkojnë në vendin e ngjarjes, por ata që vinin nga Hallwang apo nga qyteti, mbetën në trafik. Kjo ishte aryseja se përse në fillim, ishim të vetëm. Gjithsesi, dhamë ndihmën e parë me aq sa mundëm. Personelit të Kryqit të Kuq iu desh të linin makinat në trafik e të vinin në vendin e ngjarjes në këmbë. Pas kësaj, situata dalëngadalë u qartësua”
ORF sqaron gjithashtu edhe mbi gjendjen e pasagjerëve.
“Në Kryqin e Kuq pasagjerët mundën të qetësohen nga shoku. Një kombani autobusësh në Salzburg dërgoi mjete për të dërguar në destinacion pasagjerët. 23 prej tyre u larguan. 5 pasagjerë të tjerë janë ende duke u trajtuar sipas Kryqit të Kuq. Në mesin e tyre, tre janë lënduar më rëndë, shpjegoi Hermann Gertgraser, shef i ekipit të shpëtimit në Flachgau.
“Tre personat e lënduar seriozisht u trajtuan nga mjekët e emergjencës. Dy prej tyre u dërguan në Salzburg (UKH) ndërsa i treti në Landeskrankenhaus (spitalin shtetëror).