Princi Charles ka pranuar një pagesë prej 1 milion paund (rreth 1.2 milion dollarë) nga familja e Osama bin Ladenit, ka zbuluar The Sunday Times.
Princit të Uellsit iu dha një shumë e konsiderueshme nga Bakr bin Laden, anëtar i një familjeje të pasur saudite dhe vëllai i tij Shafiq, gjysmë vëllezërit e themeluesit të Al-Kaedës.
Djali i mbretëreshës Elizabeth II u takua me Bakr, 76 vjeç, në Clarence House në Londër më 30 tetor 2013, dy vjet pasi Osama bin Laden u vra nga forcat speciale amerikane në Pakistan. Charles pranoi të merrte paratë e tij pavarësisht kundërshtimit të këshilltarëve në Clarence House dhe The Prince of Wales Charitable Trust (PWCF).
Me sa duket, disa këshilltarë të afërt e lutën në mënyrë specifike princin që të kthente paratë e diskutueshme. Ata e paralajmëruan atë se “kombi do të tmerrohej nëse një lajm i tillë arrinte në media”.
“Nuk do të ishte mirë për askënd, nëse do të zbulohej se princi ka marrë para nga familja e një personi famwkeq. Dëmi do të jetë i pamatshëm”, dyshohet se kanë thënë bashkëpunëtorët.
Një person i brendshëm i pallatit tha se kishte frikë të madhe se një pagesë e tillë skandaloze do të minonte reputacionin e princit dhe të bamirësisë: “Ka burime të tjera parash në botë”.
Por Charles thuhet se mendoi se do të ishte shumë e turpshme t’ua kthente dhurimin vëllezërve.
“Ai kishte frikë se bin Ladenët do të dyshonin për arsyen e vërtetë të një akti të tillë”, tha një burim i afërt me Princin Charles.