Një ngjarje e paprecedentë është zbuluar në Zvicër, ku një familje nga Kosova akuzohet se ka “blerë” vajza të mitura nga Shqipëria për 300 euro, duke i bërë partnere të djemve të tyre.

 

 

Ngjarja është zbardhur nga media gjermane “Blick” ndërsa thuhet se burrat abuzuan dhe i keqtrajtuan gratë për 16 vite me rradhë.

 

 

“Skllavërimi” i grave ka ndodhur që prej vitit 2003 kur u mor nusja e parë dhe vijoi deri në 2019 kur gjithçka u zbulua.

 

 

Babai kosovar që identifikohet si Albrim. F dhe katër djemtë e tij pritet të dalin para gjykatës javën e ardhshme.

 

 

Media gjermane shkruan se Albrim.F ka sjellë vajza të mitura nga mosha 14 deri në 17 vjeç si “gra” për secilin nga 4 djemtë, dhe për një dekadë e gjysmë ata abuzonin me to duke i keqtrajtuar e duke i mbajtur mbyllur në banesë.

 

 

Të pestë burrat dyshohet se kanë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht katër nuset.

 

 

“Më shumë se 20 herë e ka goditur me rrip. Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve.

 

 

Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre.

 

Avokati i dy prej nuseve, Dominic Nella mendon se pas sjelljes çnjerëzore qëndron e drejta zakonore, mesjetare, shqiptare e kanunit.

 

 

5 burrat e familjes do të përballen me akuzat për trafikim njerëzor, martesë të detyruar, dhunë fizike, shtrëngim, përdhunim dhe akte seksuale me të mitur.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re