Skip to content

Media në vështirësi/ Pas letrës së hapur të gazetarëve shqiptarë, reagon Shoqata Europiane

Shoqata e Gazetarëve Europianë kërkon më shumë informacion nga seksioni i Shqipërisë së kësaj shoqate lidhur me shqetësimet që janë paraqitur më parë, përmes një letre dërguar pak kohë më parë mbi problematikat që po has media në këto kohë të vështira të pandemisë Covid 19.

Përmes përgjigjes së ardhur nga Suedia, ku është edhe selia e gazetarëve europianë, që në fillim shprehet falenderimi për punën e gazetarëve shqiptarë. Në letrën e Shoqatës së Gazetarëve Europianë shkruhet: Dua t’ju falenderoj, që kërkoni vëmendjen tonë ndaj një elementi shumë të rëndësishëm për një shoqëri demokratike funksionale, që është media”.

Në vijim dokumenti thotë: “Ne kemi nevojë për një media cilësore dhe të fortë në të gjitha kohërat, por edhe më shumë në periudha të vështira. Ne kemi nevojë që ju të na siguroni një informacion të saktë.  Ne kemi nevojë që ju të na bëni më të përgjegjshëm si shërbyes civilë, duke filluar nga mua, institucionet publike dhe politikanët.

Suedia, ka një shqetësim të shtuar për kërcënimet dhe sfidat e ruajtjes së vlerave demokratike në të gjithë botën. Ne shohim një hapësirë të tkurrur për demokracinë në shumë vende.

Demokracia duhet të mbrohet çdo ditë, prandaj Suedia ka iniciuar nismën “Forcimi i Demokracisë”, si një nga fushat tona kryesore si qeveri Suedeze. Jam krenare që Suedia është një mbështetëse e fortë e mediave globalisht dhe në Ballkanin Perëndimor.

Sidoqoftë, unë mendoj se mund të bëhet më shumë. Media është një gur themeli për demokracinë. Mezi pres të vazhdoj këtë dialog me ju dhe gazetarët e tjerë në Shqipëri – thuhet në përgjigjen e Shoqatës Europianë të Gazetarëve për median në Shqipëri.