Arabia Saudite dhe Irani thuhet se janë në rrugën e pajtimit, pas viteve të tensioneve, sipas mediave të Lindjes së Mesme, duke shtuar se Iraku ka pritur takime midis zyrtarëve të dy vendeve në të kaluarën dhe se një marrëveshje për normalizimin pritet të shpallet së shpejti.

Mohammad Marandi, kreu i departamentit të studimeve amerikane në Universitetin e Teheranit, tha për Media Line se ai beson se Irani nuk e sheh Arabinë Saudite si një kundërshtare, por vetëm si pjesë të bllokut perëndimor.

“Rivali i Iranit janë Shtetet e Bashkuara dhe problemi i vetëm që ka me Arabinë Saudite është lufta në Jemen,” vuri në dukje ai, raporton Jerusalem Post.

Gazeta kujton se Riadi po udhëheq një aleancë ushtarake prapa qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht në një përplasje me lëvizjen rebele Huthi.

Sauditët akuzojnë iranianët për dërgimin e armëve për rebelët, por Teherani e mohon këtë dhe pretendon se ajo i jep vetëm mbështetje politike huthinjve.

“Nga perspektiva e Iranit, sauditët duhet t’i japin fund luftës në Jemen – gjenocidit në Jemen – dhe të pranojnë realitetin në atë vend,” shtoi Marandi.

Arabia Saudite, me shumicë sunite, i ndërpreu lidhjet me Iranin (shumicë shiite) pas vitit 2016 me sulmet e protestuesve të zemëruar ndaj misioneve diplomatike saudite në Republikën Islamike, pasi Mbretëria ekzekutoi një imam të shquar shiit.

Princi i Kurorës Saudite dhe sundimtari de fakto Mohammed bin Salman është një nga kritikët më të zëshëm të Iranit, por fjalimet e tij janë zbutur kohët e fundit.

Në fillim të këtij viti, ai tha se qeveria e tij donte “marrëdhënie të mira” me Teheranin dhe se po “punonte me partnerët në rajon për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Iranin”.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Faisal bin Farhan konfirmoi se një raund i katërt i bisedimeve u mbajt në shtator dhe shprehu shpresën se ata mund të “krijojnë bazën” mbi të cilën do të zgjidhen mosmarrëveshjet e dy vendeve.

Homologu i tij iranian Hossein Amir-Abdollahian vuri në dukje se bisedimet janë “në rrugën e duhur”, por gjithashtu se “më shumë dialog” nevojitet për të arritur rezultate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re