Media shtetërore iraniane, ka thënë se është ekzekutuar britaniko-iraniani, Alireza Akbari, i cili ka qenë i dënuar me vdekje.

Familjes së Akbarit i është kërkuar që ta vizitojë atë për herë të fundit ditën e mërkurë.

Gruaja e tij ka thënë më pas se Akbari është zhvendosur në çeli.

I njohur dikur si zëvendësministër i Mbrojtjes në Iran, ai është arrestuar më 2019 dhe është dënuar se ka spiunuar në Mbretërinë e Bashkuar, diçka që Akbari e ka hedhur poshtë.

Mbretëria e Bashkuar i ka bërë thirrje Iranit që të ndalë procesin e ekzekutimit dhe ta lirojë atë menjëherë.

Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly, e ka përshkruar dënimin me vdekje si “vendim të motivuar politikisht nga regjimi barbar, që nuk respekton aspak jetën e njeriut”.

Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar thirrjeve ndaj Iranit që të mos ekzekutojë Akbarin.

Diplomati amerikan, Vedent Patel ka thënë se “ekzekutimi i tij do të jetë i pandërgjegjshëm”.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë apo leje-qëndrime të përhershme në shtetet tjera, sidomos nën akuzat e spiunimit apo çështjeve tjera të lidhura me sigurinë kombëtare.

Shtetasit britaniko-iranianë, Nazanin Zaghari-Ratcliffe dhe Anoosheh Ashoori, janë liruar vitin e kaluar dhe u është mundësuar largimi prej Iranit, pasi Mbretëria e Bashkuar ka paguar një borxh që i ka pasur Teheranit.

Megjithatë, të paktën dy britaniko-iranianë tjerë mbesin në mbajtje, përfshirë Morad Tahbaz, i cili ka edhe shtetësi amerikane./Burimi: R. E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re