Mediat italiane i kanë bërë jehonë vrasjes së biznesmenit italian në Shqipëri, Edoardo Sarchi i cili u gjet i vrarë me armë zjarri në anë të rrugës në një fshat të Tepelenës.
Nova News shkruan se 44-vjeçari me banim në Tiranë, u vra në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Salari, në bashkinë e Tepelenës, në jug të Shqipërisë.
Gazeta italiane thekson se Sarchi ishte një biznesmen dhe pronar i fabrikës së tullave “Tegola Edilcentro” në Tiranë.
Artikulli i plotë i Nova News:
Edoardo Sarchi, një shtetas italian 44-vjeçar me banim në Tiranë, u vra në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Salari, në bashkinë e Tepelenës, në jug të Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur policia shqiptare.
Sarchi, një biznesmen dhe pronar i fabrikës së tullave Tegola Edilcentro në Tiranë, u qëllua me armë zjarri.
Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe postblloqe në disa zona për të gjurmuar autorin ose autorët e krimit. Sipas informacioneve fillestare, Sarchi frekuentonte rregullisht zonën e Tepelenës, ku ushtronte gjueti.
