Autoritetet e Koresë së Jugut po hetojnë pretendimet e mediave se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un udhëtoi për një vizitë të papritur në Kinë.

Mediat e Koresë së Jugut dje kanë publikuar se ka indikacione të fuqishme se Kim udhëtoi me tren për në Pekin, që do të ishte vizita e tij e parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në vitin 2011.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut kanë thënë për agjencinë e lajmeve Yonhap se nuk kanë asnjë konfirmim zyrtar, por se janë duke hetuar nëse udhëheqësi verikorean me tren ka vizituar Pekinin.

“Qeveria jonë po përpiqet të zbulojë nëse pretendimet e mediave janë të sakta”, thonë nga ministria, kurse një njoftim të ngjashëm e ka lëshuar edhe Shtëpia e Kaltër në Seul, Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut.

Mediat gjithashtu spekulojnë se Kim kishte dërguar një zyrtar të lartë për të vizituar Kinën, me gjasë motrën e tij Kim Yo-jong, e cila vizitoi Korenë e Jugut në shkurt gjatë hapjes së Olimpiadës Dimërore në Pyeongchang.

Të dy Koretë kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e një samiti të përbashkët në prill ndërsa në maj pritet një takim i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, shkruan aa.

Analistët thonë se vizita në Kinë në prag të takimit të ardhshëm mund të jetë një lëvizje e logjikshme e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re