Përdorimi i medikamenteve pa recetë nga mjeku vijon të mbetet një problem shqetësues, i cili sjell jo vetëm një trajtim joefektiv të sëmundjes, por mbi të gjitha efekte anësore të rrezikshme për shëndetin. I tillë është edhe rasti i Semaglitude një medikament për pacientët diabetikë, i cili sipas Dr.Entela Puca mjeke endrokrinologe pranë Spitalit Amerikan 2, po përdoret pa kriter nga personat që duan të bien në peshë, pa marrë parasysh efektet anësore të cilat mund të jenë edhe kërcënuese për jetën.

“Ne si endokrinologë jemi shumë të lumtur që e kemi këtë medikament, sepse është me shumë efikasitet në pacientët diabetikë, por më shqetëson përdorimi pa kriter te personat pa indikacione mjekësore. Si çdo medikament, edhe ky ka efekte anësore. E para rrit rriskun për karcinomën medulare të tiroides, pra në pacientë te të cilët përdoret ne duhet të përjashtojmë nëse kemi prezencë të një tumori të tiroides. Së dyti kemi një rritje të incidencës për pankreatitet akute që është një urgjencë mjekësore e cila shpesh mund të shkojë në fatalitet dhe së treti mund të rrisë riskun për gurë në tëmth,”  u shpreh mjekja

Përdorimi masiv i këtij medikamenti ka sjellë gjithashtu edhe mungesë të tij në treg për pacientët diabetikë të cilët e kanë pjesë të trajtimit mjekësor.

 “Kemi një mungesë totale të këtij medikamenti, për faktin se po përdoret nga persona të cilët nuk e kanë të indikuar dhe pacientët diabetikë ngelen pa u trajtuar. Kjo edhe për faktin se është një medikament i kollajshëm për t’u përdorur ndaj dhe ka marrë një masivitet goxha të lartë Ju bëj thirrje të mos përdorni asnjëherë medikamente pa indikacionin e mjekut.

Vjen në konsultë, paraqitemi, e vlerësojmë, nëse janë sipas kritereve të përcaktuara nga FDA-ja apo nga dhe Shoqata Europiane e Mjekësisë atëherë pacienti mund ta përdori,” tha mjekja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re