Fatmir Mediu nuk i ka kursyer kritikat si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën sa i përket çështjes së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

 

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pasditen e së martës ka ashpërsuar tonet kundrejt opozitës, pasi kjo e fundit nuk solli një emër për presidentin e Shqipërisë.

 

“Mos abuzojmë. Të ketë seriozitet. Më shqetëson që ky Parlament ka treguar mungesë të thellë serioziteti në trajtimin e çështjes së zgjedhjes së Presidentit. Kemi detyrimin kushtetues që ta gjenim konsensusin në tre raunde. U abuzuan këto tre raunde. Nuk u përcoll një emër në dinjitetin e këtij Kuvendi. Ia arritët ju të mazhorancës që opozita të ishte e përçarë. Dhe opozita ra në këtë stad që është. Përgjegjësia jonë, që nuk kuptuam që duhet të jemi të unifikuar përballë qëndrimeve të mazhorancës. Në një pozicion tërësisht absurd. Tani vini e diskutoni për datë. Ju e dini kur mund ta vendosini, sepse opozita është e panevojshme tashmë në proces. Unë kam vite në politikë, e mësoj praktika të reja, sidomos këto…Dhe, nëse do të donim vërtet të kishim President ka tre rrugë: të uleshim pozitë opozitë dhe të arrinim konsensus pa kushte. Nëse nuk bëhej kjo, opozita ka detyrim që të ndërtojë një raport për opinionin publik. Në opozitë marrëveshjen e ke me qytetarët. Opozita ka pasur, ka njerëz dinjitozë për të qenë kandidatë. Të përcaktonte, një dy, qoftë politikë qoftë të shoqërisë civile, që të mos zgjedhim një president sa për të kaluar radhën.”