Për rreth një orë e 30 minuta, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u mor në pyetje nga prokuroria e posaçme për çështjen e privatizimit të “Kompleksit sportive, Partizani”.

I pyetur se çfarë dëshmoi para prokurores Enkeleida Millonai, Mediu refuzoi të japë detaje, pasi sipas tij, hetimit ende po vijon .

FATMIR MEDIU

ISH MINISTER I MBROJTJES

 

U ftova për të dhënë një dëshmi si person që ka dijeni rreth një çështje që është interes i SPAK. Për një hetim që është interes i SPAK. Kaq mund të them se është pjesë e hetimit.

Ndërsa pyetjes nëse e ka shpërdoruar detyrën apo jo Mediu iu përgjigj:

FATMIR MEDIU

ISH MINISTER I MBROJTJES

 

Çfarë lidhje ka shpërdorimi i detyrës në cilësinë e atij që unë jam ftuar në SPAK.

Por burime pranë SPAK bëjnë me dije se Mediu është thirrur në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes pasi mendohet se disponon informacion lidhur me procedurat e privatizimit të kompleksit sportiv.

Pak ditë më parë Kreu i Spak, Arben Kraja i drejtoi një kërkesë Kuvendit ku kërkoi autorizim për marrjen në pyetje të deputetit Fatmir Mediu. Ndërkohë prokurorja e çështjes në shkresën drejtuar kreut të Partisë Republikane theksonte se nëse ai do refuzonte do të urdhërohej shoqërimi i tij i detyrueshëm.

Privatizimi i ish-kompleksit ‘Partizani’ është denoncuar nga Partia Socialiste. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka paditur për këtë çështje në SPAK, ish-kryeministrin Sali Berisha, familjarë të këtij të fundit,  si dhe anëtarë të kabinetit qeverisës gjatë kohës kur PD ishte në pushtet.

Sipas Ballës,  ata kanë përfituar financiarisht duke privatizuar afro 10 mijë metra katrorë tokë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të ndërtuar kulla.

Burimet bënë të ditur se Spak mund të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit, edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re