Nga Elona Muça, Teologe

Dijaneti i Turqisë, në bashkëpunim me zyrat e tyre përkatëse që veprojnë në ballkan në maj të vitit 2023 kanë zhvilluar konkursin edukativo – kulturor mbi jetën e Profetit Muhamed  alejhis-selam (paqja qoftë mbi të) i ideuar për pjesëmarrjen e nxënësve e nxënëseve të medreseve të përzgjedhura të Ballkanit.

Aktiviteti, i pari i llojit të tij në Ballkan, e veçanërisht në trevat shqiptare, u iniciua nga Dijaneti i Turqisë në nderim të muajit të lindjes së Profetit Muhamed alejhis-selam.

Synimi i këtij konkursi ka qenë një shtysë motivimi për nxënësit drejt hulumtimit në rrugën e dijes e për të rrënjosur në zemrat e mëndjet e tyre jetën e njeriut më të dashur të Allahut, edukatorit të njerëzisë, Profetin Muhamed alejhis-selam. Duke e marrë shembullin e jetës së tij busull orientimi në horizontet e sfidat e ndryshme të jetës.

Dijaneti i Turqisë, pas mbylljes së këtij konkurimi në Ballkan, përzgjodhi që tre fituesit e parë të çdo medreseje pjesëmarrëse në këtë konkurim t’i motivojë me kryerjen e një prej udhëtimeve më të bukura, drejt vendeve të shenjta – Umra.

Ky udhëtim do të shërbejë si një katalog njohje me historinë e vendeve të shenjta. Pasi ato janë vende, ku ka zbritur drita hyjnore Kurani Fisnik, vende që flasin për çdo gjurmë që kanë lënë Profetët e Allahut (a.s). Gjithashtu ky udhëtim do të shërbejë si një tubim njohje dhe si një urë lidhëse midis vëllezërve e motrave muslimane të Ballkanit, ashtu siç u tubuan muslimanët në lidhjen e besës së Akabesë në kohën e Profetit (a.s).

Ky udhëtim është një motivim shpirtëror dhe vëllazëror. Kjo ishte dhurata më e bukur që do ta ëndërronte çdokush nga studentët, të përzgjidhesh e “të jesh mysafir i Allahut në tokat e shenjta”.

Medresetë e trevave shqiptare si libër referues në këtë konkurim përzgjodhën librin “Muhamedi (a.s), Profeti Islam” i një prej penave të shquara shqiptare, imami i nderuar Vehbi Ismaili. Zoti e mëshiroftë dhe e lartësoftë në gradat e xhenetit Firdeus.

Përzgjedhja e këtij libri u bë me qëllim që të rinjtë muslimanë shqiptarë, të njihen me literaturën që kanë shkruar dijetarët muslimanë shqiptarë dhe njëkohësisht të njohin personalitetin e autorit të librit, imamin e nderuar Vehbi Ismaili me origjinë nga Shkodra.

Vehbi Ismaili, pas studimeve universitare në Universitetin Al-Azhar në Kajro nuk iu mundësua të kthehej në Shqipëri, për shkak të rrethanave të reja shoqërore –politike, ndaj ai vazhdoi të hedhë hapat e tij si edukator e imam i zellshëm në Detroit të ShBA duke u bërë pishtar udhërrëfimi për muslimanët atje dhe jo vetëm. Ai u shqua atje si një organizator i mirë i Komunitetit Musliman Shqiptar. “Qendra Islame Shqiptare – Albania Islamic Center” u bë vatër e rëndësishme e aktiviteteve fetare e kombëtare, duke shërbyer në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve atje.

Pjesëmarrës në këtë konkurim nga medresetë e trevave shqiptare ishin medreseja “Alauddin” dega Prishtinë, Prizren, Gjilan; medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi”, medreseja e Shkodrës “Sheh Shamia”, medreseja “Isa Beu” dega Shkup, Tetovë, Gostivar, Shtip; medreseja e Malit të Zi “Mehmed Fatih”.

Tre fituesit e parë të këtij konkursi nga këto medrese u përzgjodhën nga Dijaneti i Turqisë të jenë mysafir të Allahut në Qaben e madhërueshme dhe në xhaminë e Profetit Muhamed alejhis-selam.

Realizimi i këtij udhëtimi u krye më dt 17/01/2024. Pika e takimit me të gjithë fituesit në këtë konkurim ishte aeroporti i Stambollit. Organizatorët iu shpërndanë studentëve mjetet e nevojshme që ju duheshin në këtë udhëtim.

Në këtë organizim studentët e Ballkanit patën nderin të takoheshin në Meke me kryetarin e Dijanetit të Turqisë, të nderuarin Ali ef. Erbash. Ai mbajti një fjalim përshëndetës për të gjithë pjesëmarrësit në këtë konkurim dhe jo vetëm. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje rolin e rinisë muslimane në kohën e Pejgamberit (a.s), duke ilustruar angazhimin e tyre në kapërcimin e sfidave për të ngritur lart flamurin e Islamit. I nderuari Ali ef. Erbash përcolli mesazhin se “Botën do ta ndryshojë bamirësia.”  Ai e mbylli fjalimin e tij duke bërë dua që të jemi prej pasuesve të sinqertë të rrugës së Profetit Muhamed (a.s) dhe të jemi komshinj me të në Xhenetet e larta.

Qëndrimi dy javor në Meke dhe Medine u gjallërua me programet e ndryshme edukative – kulturore nga vetë pjesëmarrësit. Ajo që u vu re në këto programe ishte zëri i bukur i një studenti nga Turqia me aftësi ndryshe i cili këndonte me sytë e dritës së zemrës, zë i cili i mallëngjeu të gjithë pjesëmarrësit. Prezenca e tij në këtë aktivitet ishte treguesi më i mirë se njeriu kur ka mbështetje shpirtërore tek Allahu, ngrohtësinë e zemrave fisnike që të rrethojnë në shoqëri dhe vullnet në vetvete arrin të thyesh të gjitha sfidat e jetës.

Ky aktivitet do të mbetet mbreslënës në zemrat e të gjithë atyre nxënësve të medreseve që me ndihmën e Allahut e kurorëzuan me sukses konkurimin e tyre në këtë event, duke nxjerrë në pah vlerat e leximit si pishtar ndriçues i mëndjes, si rregullatori më i mirë i zhvillimit të vetvetes dhe shoqërisë.

Duke shpresuar që kjo nismë e bukur e ndërmarrë nga Dijaneti i Turqisë, të vazhdojë edhe në vitet në vijim duke shërbyer si një shtysë inkurajimi dhe zhvillimi të njohurive fetare për ata studentë që në zemrat e tyre kanë dashurinë për Allahun dhe të dërguarin e tij, Profetin Muhamed alejhis-selam.

Në mbyllje të këtij shkrimi gjejmë rastin të falënderojmë Dijanetin e Turqisë, përgjegjësit e zyrave të tyre që bashkveprojnë në Ballkan e veçanërisht në trevat shqiptare, që mundësuan organizimin e këtij konkurimi dhe realizimin me sukses të udhëtimit drejt tokave të shenjta.

Një mirënjohje e veçantë shkon për udhëheqësin e studentëve të trojeve shqiptare profesorin e nderuar, Zumer Ramadani nga Prishtina, i cili me bujarinë e tij shpirtërore u është gjendur pranë studentëve në realizimin me sukses të Umra-s dhe mbarëvajtjes së këtij udhëtimi.

Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata mësues të lëndëve fetare të të gjitha medreseve që kanë kontribuar në punën e tyre fisnike në përçimin e dijes për formimin e brezave të ri. Fuqia e mësuesit ndërton me mijëra jetë. Profeti Muhamed alejhis-selam ka thënë: “Mësuesi dhe nxënësi janë partnerë në mirësi.”

Duke i këshilluar çdo nxënës që për të arritur synimet e tyre në rrugën drejt xhenetit, në marrjen e diturisë. le ta bëjnë moto të jetës hadithin e Profetit Muhamed (a.s): “Kush ndjek një rrugë përmes të cilës kërkon dituri, me këtë Allahu ia lehtëson atij rrugën për në Xhenet”.

Allahu iua pranoftë Umra-n të gjithë pjesëmarrësve në këtë udhëtim dhe Allahu i shpërbleftë me të mirat e Tij të gjithë ata që kontrubuan në realizimin e këtij aktiviteti edukativ – kulturor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re