Në kuadër të megaoperacionmit të koduar “Alpet e Pastra”, është bërë i mundur që të sekuestrohen 4165 bimë narkotike në Shkodër, Mirditë dhe në Tropojë.

Sipas policisë mësohet se në fazën e 9 të operacionit u asgjësuan 3295 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në disa fshatra, në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë.

Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së 30-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u asgjësuan 513 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në një fshat në Mirditë.

Ndërsa në qarkun Kukës, gjatë fazës së 5-të të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna” u asgjësuan 357 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në terren malor, në Lekbibaj, Tropojë.

Gjithashtu në lidhje me këtë megaoperacion është bërë procedimi penal ndaj përgjegjësit të shërbimit pyjor të kësaj zone, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, duke përdorur edhe dronë, për kontrollin e zonave malore. Si rezultat i kontrolleve, në territoret e qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Kukës, janë gjetur dhe asgjësuar në total 4165 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re