Një natë e ashpër në Toskanë. Cikloni Ciaran goditi Italinë dhe mori tre jetë njerëzish. Presidenti i rajonit toskan, Eugenio Giani, njoftoi se viktima e parë ishte 85-vjeçari Alfio Ciolini, i cili vdiq në shtëpinë e tij në Montemurlo, në veri të Firences.

Ciolini u mbyt në dhomën e tij të ndenjjes, pa mundur të zhvendosej në katin e sipërm të shtëpisë sepse kishte vështirësi në lëvizje dhe uji po hynte me forcë në shtëpinë e tij.

Viktima e dytë është një 84-vjeçare e cila ishte sëmurë dhe kishte tentuar të nxirrte ujin me lopatë nga oborri i saj, ndërsa ende nuk dihen detajet e viktimës së tretë.

Një tjetër person konsiderohet i zhdukur në provincën e Venetos. Stuhia Ciaran goditi Evropën veriperëndimore të enjten, më 2 nëntor, me erëra të forta dhe shi të dendur, duke mbyllur shkollat, aeroportet, shërbimet hekurudhore dhe tragetet.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re