Kryetari i PD Lulzim Basha ishte sot në familjen e Bujar Çukës në Thumanë.

Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit, dhimbja e familjes Çuka që humbi nënën dhe djalin në këtë tragjedi është e madhe.

Familja e Bujar Çukës ka jetuar në një nga pallatet e Thumanës që u shembën nga tërmeti i vitit të kaluar. Aktualisht Bujari dhe vajza e tij Megi, të vetmit e mbijetuar të tragjedisë jetojnë në një shtëpi në zonën e Don Boskos.

Sot, një vit pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën nënës dhe vëllait, vajza e mbijetuar Megi ka vetëm një apel: Drejtësi për vëllanë dhe mamanë që vdiqën në pallatet e Thumanës.

“Sot është bërë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe asnjë lloj mase nuk është marrë në lidhje me këtë tragjedi që na ndodhi, – tha Megi Çuka.

– Vërtet kjo është një tragjedi që na erdhi nga natyra, por nuk duhet thënë vetëm kaq, sepse një peshë të madhe ashtu siç po e citoj dhe po e theksoj, e pati edhe përgjegjësia duke filluar që nga qeveria, kryetari i bashkisë edhe e gjithë administrata e komunës së Thumanës.

Kështu që vetëm kërkoj drejtësinë, asgjë më tepër për mamin dhe vëllanë tim ashtu, si edhe për të gjithë 24 të humburit, personat e tjerë të cilët humbën jetën.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re