Autoritetet lokale në Meksikë arrestuan 19 persona të hënën në lidhje me zbulimin e trupit të një foshnje tremuajshe në një kontejner burgu.

Zyra e prokurorit në shtetin Puebla deklaroi se punonjësit e stafit, duke përfshirë menaxhimin e lartë të burgut, janë në pritje të gjykimit për akuza, duke përfshirë abuzimin me pozitën zyrtare.

Foshnja e vdekur u gjet në një kosh plehrash më 10 janar nga një i burgosur që po kërkonte shishe plastike në plehra.

Sipas hetimeve, kufoma e foshnjës u zhvarros nga një varrezë në Meksiko, mbi dy orë larg burgut.

Të shtunën, autoritetet thanë se foshnja kishte një etiketë emri në kyçin e dorës, të cilën zyrtarët e përdorën për të gjetur të afërmit ose kujdestarët e saj. Pas testimit të ADN-së, u gjetën të dy prindërit biologjikë.

Autopsia e kryer në mbetjet e eshtrave tregoi se foshnja kishte një prerje kirurgjikale mbi 6,3 centimetra të gjatë në bark.

Autoritetet dhe aktivistët kanë thënë se mbetjet mund të jenë manipuluar dhe futur në burg për të kontrabanduar drogë. Megjithatë, hetimi është në pritje të konfirmimit të teorisë së tmerrshme pasi zyrtarët as e kanë konfirmuar dhe as mohuar një gjë të tillë.

Guvernatori i Puebla-s, Miguel Barbosa, ka shkarkuar sekretarin e sigurisë publike, si dhe kreun e burgjeve të shtetit.

Kjo është hera e katërt që një zyrtar në Puebla shkarkohet nga posti i sekretarit të sigurisë publike pas një ngjarjeje të diskutueshme. Vitin e kaluar, Barbosa shkarkoi ministrin e sigurisë publike pas vrasjes së tre studentëve dhe një shoferi të Uber-it.

Duke folur në një konferencë për shtyp, presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador kritikoi ngjarjet dhe tha se kjo që ka ndodhur është rezultat i efekteve të vazhdueshme nga administratat e mëparshme.

“Është e njëjta gjë, rezultat i dekompozimit shoqëror. Janë ngjarje fatkeqe që nuk duhet të ndodhin, por kanë të bëjnë me të shkuarën e afërt. Këtë na e la politika neoliberale”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re