Një banesë është shkruambuar mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ndërsa 4 anëtarët e familjes mundën të shpëtojnë pa lëndime serioze. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, është bërë në kohë shuarja e flakëve, ndërsa vetëm një person i familjes ka marrë dëmtime të lehta. Sipas grupit hetimor, dyshimet janë se një apo disa qirinj të ndezur, kanë shkaktuar zjarrin.

 “Rreth orës 21:30, në Memaliaj, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit F. Sh., rreth 50 vjeç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e 4 shtetasve që ndodheshin në banesë.

Për shkak të asfiksisë nga zjarri, shtetasi F. Sh. është transportuar në spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të pakujdesisë së shtetasve që ndodheshin në banesë.”-njoftuan autoritetet.

Ndërkohë një prej fqinjëve të familjes, tregoi për median se çfarë ndodhi në mbrëmje. Ai sqaroi se anëtarët e familjes vuajnë nga probleme të shëndetit mendor dhe shpesh ndezin qirinj.

“Isha në shtëpi brenda me vajzën dhe gruan. Erdhi vajza e tyre me vrap e më thotë eja na xirr nënën se është brenda, shkova e pashë flakë e madhe, s’kishte perëndi të futeshe brenda. Unë mora në telefon policinë dhe pastaj erdhi zjarrfikësja dhe e fiku zjarrin. Këtë banesën e kanë të tyren. Shkak themi se në tavolinë kishin qirinj të ndezur, nuk e dimë të saktë. Të 4 personat e familjes janë me probleme mendore dhe nuk lëvizin fare, janë pak problematik në lagje, policia dhe bashkia e dinë, po thonë s’kemi çfarë t’u bëjmë. Shteti le të merret me këtë punë.”-tregoi komshiu për Faxweb.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re