Shqipëria nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për frenimin e valës së emigrantëve në shtetin fqinj.

Lajmi u bë me dije gjatë një konference për shtyp mes Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama, një marrëveshje e cila sipas kryeministres italiane, pasqyron miqësinë mes dy vendeve. Në bazë të marrëveshjes, Italia do të financojë dy qendra për të menaxhuar emigrantët pa lejeqëndrimi.

Këto struktura fillimisht do të presin jo më shumë se 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 vendstrehime.

Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë. Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme. Kryeministrja e Italisë e vlerëson këtë marrëveshje me Shqipërinë, që thotë se bëhet me një vend që hapur negociatat me BE, por që sillet sikur të jetë anëtar i Unionit. Meloni shprehu edhe njëherë mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

. “E konsideroj këtë një marrëveshje me një frymëmarrje të gjerë europiane. Kjo marrëveshje tregon se mund të bashkëpunohet në menaxhimin e 4 flukseve të refugjatëve dhe duhet të bashkëpunojmë me një frymë europiane. Kjo do të thotë që Shqipëria jo vetëm konfirmohet mike e Italisë, por edhe e BE-së. Ka një qasje sikur të jetë trashmë një vend i BE faktikisht”, – theksoi ajo.

Sipas saj, refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë dhe jo. “Flasim nëpërmjet flukseve dhe ky fluks në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona dhe që mund të alternohet si më pak ose më shumë dhe kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera vulnerabël. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë italiane. Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit, do të realizohet një qendër e pritjes dhe të ‘screening’ dhe do të ketë një strukturë tjetër që janë në vazhdimësi të kësaj strukture të parë të ‘screening’. Pastaj pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e observimit dhe ky protokoll që firmosim sot ka një kornizë politike dhe juridike të bashkëpunimit tonë. Pastaj marrëveshje të tjera do të ndjekin më pas. Në lidhje me këtë lloj bashkëpunimi, kemi qellim që të jetë operative në pranverën e ardhshme”, – deklaroi Meloni.

Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e flukseve migratore i nënshkruar sot, sipas mediave italiane, nuk vlen për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por për ata të shpëtuar në det, ku bëhet përjashtim për të miturit, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël. Në fjalën e tij, Rama tha se kjo marrëveshje është mbështetje për Italinë, e cila shumë vite më parë mikpriti shqiptarët që u larguan për një jetë të re.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italinë dhe Shqiptarët e italianët. Nuk besoj që do të jemi në gjendje që në vitet që do të vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë popullit dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje. Në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe menaxhuar një situatë që është e vështirë për Italinë. E vërteta është që nga gjeografia është kthyer në mallkim. Shqipëria ka një histori të mikpritjes. Është një vend ku mijëra italianë kanë gjetur mbrojtje nga shqiptarët”, – theksoi Rama.

Të dy kryeministrat u shprehën se marrëveshja tregon marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, teksa objektivat janë të trafikimin e qenieve njerëzore, të parandalojë emigracionin e paligjshëm dhe të presë vetëm ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re