Presidenti Thaçi pret që faza finale e dialogut me Serbinë të mbyllet me njohjen e Kosovës, çka e tha së fundmi edhe në një konferencë. Për dallim nga ai, analisti politik, Armend Muja, shprehet se deri në fund të vitit mund të arrihet vetëm një marrëveshje e obligueshme për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve, por jo diç më shumë.

Kurse sa i përket “Zajednicës”, mendon se do ketë disa kompetenca ekzekutive, siç i ka komuna e Mitrovicës së Veriut.

Muja në intervistën e dhënë për tesheshi.com flet edhe për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja pas daljes së Listës Serbe nga qeveria “Haradinaj” dhe rreth heqjes apo jo të vizave këtë vit për kosovarët.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Presidenti dhe qeveria po paralajmërojnë fillimin e fazës siç po e quajnë finale të bisedimeve me Serbinë. Kur mendoni se do marrë fund ky proces?

Dialogu ka filluar që nga viti 2011. Fillimisht ishte menduar te jetë më i shkurtër dhe më teknik. Më vonë është kuptuar që dialogu në thelb ka qenë edhe për çështje përmbajtjesore. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka tejkaluar parashikimet dhe besoj se do të zgjat edhe 5 vitet e ardhshme. Lista e çështjeve që kërkojnë trajtim është shumë e gjatë.

Ç’normalizim marrëdhëniesh mund të ketë mes dy vendeve. Mund të ketë njohje të Kosovës nga Serbia, siç po thotë presidenti Thaçi?

Deri në tetor të këtij viti do të kemi dy marrëveshje të reja: Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i cili do të trajtoi disa nga çështjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa deri në fund të vitit mund të kemi edhe një Marrëveshje juridikisht të obligueshme për Normalizim të Marrëdhënieve. Nuk pres se do të ketë njohje. Me këtë marrëveshje Kosovës do t’i mundësohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare sipas Modelit të Gjermanisë Perëndimore/Lindore. Kjo do të thotë që vendet nuk njihen por nuk pengojnë njëra tjetrën në rrafshin ndërkombëtar

Presidenti po bën thirrje për formimin e një Ekipi Uniteti. Duke parë klimën aktuale a mund të krijohet ky ekip dhe sa është e nevojshme të ketë një gjithëpërfshirje ?

Kosova duhet të ketë kujdes të mos e rris profilin e dialogut. Ekipet e Unitetit i ngjajnë Negociatave për Status. Mirëpo ajo që është e rëndësishme është që të sigurohet që marrëveshjet të jenë transparente dhe të ratifikohen në Kuvend me shumicë të kualifikuar.

Temë tjetër aktuale është dhe formimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Serbia thotë se do ketë fuqi ekzekutive, Kosova jo. Ç ‘prisni të ndodhë?

Asociacioni do të krijohet. Krijimi do të mbështetet në Planin e Ahtisarit dhe Marrëveshjen e Bruksel 2013 mbi Asociacionin. Mendoj, që në kuadër të dokumenteve pasuese do të tentohet të adresohen vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Asociacioni do  të ketë disa kompetenca ekzekutive në arsim, shëndetësi, mjedis dhe planifikim hapësinor. Këto kompetenca aktualisht i ka Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Pas ratifikimit të Demarkacionit, krerët e shtetit premtuan liberalizmin e vizave. Ka gjasa që kosovarët sivjet të udhëtojnë pa viza?

Kosova ka përmbushur udhërrëfyesin teknik për liberalizim të vizave. Ky ishte edhe propozimi i Komisionit Evropian. Megjithatë, shkalla e përmbushjes së kritereve shtesë (demarkacioni/luftimit i krimit dhe korrupsionit) do të vlerësohet para qershorit 2018. Në rast se Komisioni sugjeron një gjë të tillë, pres që Kosova edhe proceduralisht të marr dritën jeshile në janar 2019.

Në fund, Lista Serbe braktisi qeverinë “Haradinaj” e cila tashmë është “qeveri e pakicës”. Sipas jush do shkoj vendi në zgjedhje të reja apo jo?

Probabiliteti për zgjedhe të reja është i ulët. Unë pres që të vazhdohet më këtë qeverisje me legjitimitet të kufizuar popullor dhe parlamentar deri në tetor 2018. Më pas mund të ketë lëvizje që kushtëzojnë rrëzimin e kësaj qeverie.  Në mungesë të votave të Listës Serbe është e vështirë të kalohen edhe ligjet baze si buxheti i qeverisë.  Praktikisht, në mungesë të një ligji për buxhet, qeveria mund të rrëzohet në nëntor/dhjetor 2018. Megjithatë, Lista Serbe nuk ka interes për zgjedhje të reja. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re