Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është duke zhvilluar një vizitë historike në Greqi, vizitë kjo që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për natyrën dhe faktin që zhvillohet pas shumë viteve, por edhe për ngjarjet e shumta që po ndodhin këto kohë në Greqi.
Kjo vizitë nisi të jetë në rendin e ditës së medias dhe faktorit të dy vendeve shumë kohë para zhvillimit të saj. Pak ditë para vizitës autoritetet greke bënë një sër arrestimesh, ku disa persona u akuzuan se i përkisnin një organizate terroriste me qendër në Turqi dhe se planfikonin sulme ndaj Presidentit turk, Erdogan.
Nuk vonoi shumë dhe autoritetet greke, përmes disa deklaratave i dhanë një tjetër mesazh të fortë Presidentit Erdogan, duke thënë se në vendin e tyre organizatat terroriste nuk kanë vend. Nuk e dimë nëse këto deklarata ishin një përpjekje për t’u afruar me Turqinë apo për shkak të frikës ndaj saj.
Presidenti i Turqisë arriti sot në Athinë, ku ka zhvilluar një sër takimesh të rëndësishme, si me homologun e tij grek, Prokopis Pavlopulos dhe kryeministrin e vendit, Alexis Tsipras.

Edhe pse kjo vizitë ka shumë pritshmëri të larta, patjetër që nuk mund të pretendojmë që do të kalonte pa tensione dhe deklarata të forta. Vizita e Presidentit Erdogan nisi me një lajm për masat e larta të sigurisë. Më pas vjen dhe bomba e parë e Presidentit Erdogan në lidhje me pakicat, marrëveshjen e Lozanës dhe emërimin e liderëve fetar.
“Lozana duhet rifreskuar. Pakicat në veri të Greqisë nuk kanë ende të drejtat e tyre dhe nuk jetojnë sipas marrëveshjes së Lozanës. Muslimanët atje nuk mund të zgjedhin as myftiun e tyre. Ju dolët nga NATO dhe për rihyrjen ju ndihmuam ne. Ne u sollëm si fqinj, por koha po tregon që Lozana nuk aplikohet këtu për këtë arsye na duhet ta rishikojmë”, u shpreh Erdogan gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e tij grek.
Presidenti Erdogan më pas takoi kryeministrin Tsipras, teksa të njëjtat deklarata ka bërë edhe në këtë takim. Ndërkohë ai ka dhënë edhe njëherë siguri që Turqia nuk ka sy në tokat e të tjerëve.

Teksa në kryeqytetin e Greqisë ka zhvillime dhe deklarata të nxehta, në veri të Greqisë, pikërisht në qytetin ku presidenti Erdogan pritet që të marrë pjesë nesër në faljen e xhumasë, grekët kanë nisur të shpërndajnë trakte kundër tij.

Letra A4 të hedhura në çdo cep të qytetit Komotini kanë krijuar panik. Në këto trakte të shkruara në gjuhën turke kërkohet që qytetarët të mos dalin të presin Presidentin e Turqisë, Erdogan. “Mendohu mirë! Erdogan do të ikë, ndërsa ju do të jeni edhe nesër këtu..” shkruhet në këto trakte, ndërsa pritet që nesër Erdogan të shoqërohet nga mijëra njerëz në faljen e namazit të xhumasë.

Është ende herët të bëjmë një vlerësim për këtë vizitë historike e cila mund të ndryshojë shumë gjëra në rajon, por mund të themi hapur që vizita po kalon me shumë tensione dhe deklarata të forta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re