Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol me problemin e anoreksisë, një çrregullim mendor që sjell çrregullim në ushqyerje. Anoreksia prek të gjithë, por më të rrezikuarit janë adoleshentët.

Diola Dosti e cila sot është një dietologe, rrëfeu se edhe ajo vetë ka vuajtur nga anoreksia. Ajo tregon se fillimisht nisi të kontrollonte në mënyrë strikte kaloritë që konsumonte në një ditë.

“Shikoja me detaje përbërësit dhe kaloritë e secilit produkt. Madje dëgjoja se modelet që të ruanin linjat, hanin pambuk që të bymehet barku, të mbushet me pambuk dhe mos kishin oreks”, tha Diola duke shtuar se e ka menduar që ta bëjë një gjë të tillë, por nuk ka pasur asnjëherë guxim.

Dosti zbuloi gjithashtu se kur i janë shfaqur shqetësimet si pasojë e kequshqyerjes, ka kuptuar se vuante edhe nga bulimia. “Fillova të kurohesha dhe të ndërgjegjësohesha edhe pse ishte një periudhë e vështirë”, tha ajo, e cila tashmë ka të gjithë informacionin e duhur për t’u ushqyer sa më shëndetshëm.

Gjithashtu edhe një 17-vjeçar, tregoi se si kishte arritur që të fitonte betejën me anoreksinë, pasi e kishte kapur në fazat e para. Adoleshenti tha se gjatë moshës 15-16 vjeç kishte humbur 6 kilogramë menjëherë gjatë periudhës kur ishte anoreksik.

/faxweb