Mëngjesi i hershëm i kësaj te diele nisi me luftë në një ndër zonat më të nxehta të botës, në Lindjen e Mesme, ku u riaktivizua në përplasje zjarri mes Izraelit dhe Hamasit palestinez.

Alarmet ranë për disa minuta në zonat jugore rreth Gaza-s dhe në zonën më të madhe të Tel Avivit në Izrael për sulme me raketa nga palestinezët.

“Jemi në gjendje lufte, tani në jug janë 21 operacione aktive”, tha një komandant policie.

Shpërthime u dëgjuan në qytetet përreth Tel Avivit dhe jashtë Jeruzalemit, me ushtrinë që nuk bëri të ditur menjëherë detajet e origjinës së tyre, por imazhet nga Reuters treguan shkatërrim të gjerë dhe gjuajtje me raketa.

Banorët e Gaza-s thanë se dëgjuan të shtëna armësh përgjatë gardhit me Izraelin pranë qytetit jugor të Khan Younis dhe panë lëvizje të luftëtarëve të armatosur. Ndërkohë, sipas raportimeve, militantët kanë hyrë në një stacion policor në qytetin e Sderotit dhe kanë shkëmbyer zjarr me policinë.

Shërbimi i Ambulancës izraelite tha se ekipet ishin dërguar në zonat në jug të Izraelit pranë Gaza-s dhe se banorët ishin paralajmëruar të qëndronin brenda. Megjithatë, nuk ka detaje të menjëhershme për viktima të mundshme.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se ai do të takohet me zyrtarë të lartë të sigurisë në orët e ardhshme.

Të paktën një raketë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë në këshillin rajonal të Gederot, duke vrarë një grua rreth të 60-tave, sipas Magen David Adom. IDF (Forcat e Armatosura të Izraelit) filluan të veprojnë në Rripin e Gaza-s.

“IDF shpall gjendjen e gatishmërisë për luftë”, tha ushtria në një deklaratë. “Ka pasur sulme të gjera me raketa në territorin izraelit nga Gaza dhe militant palestinezë janë infiltruar në territorin izraelit nga pika të ndryshme hyrjeje. Banorët në jug dhe në qendër të vendit duhet të jenë pranë zonave të mbrojtura, ndërsa ata në Rripin e Gaza-s duhet të qëndrojnë brenda një zone të sigurt”.

Forcat e Armatosura izraelite thanë se shefi i shtabit ishte të shtunën në mëngjes duke kryer një vlerësim të situatës dhe miratoi planet për vazhdimin e operacioneve të IDF. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant miratoi mobilizimin e ushtarëve rezervë në përputhje me kërkesat e IDF. “Hamasi është entiteti dominues në Rripin e Gazës përgjegjës për këtë sulm dhe do të mbajë pasojat dhe përgjegjësinë për ngjarjet”, tha IDF.

Nga ana tjetër, Hamasi njoftoi “Stuhinë Al-Aksa”, ku disa dhjetëra raketa u hodhën nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit me një person të vrare dhe të paktën tre të plagosur.

Komandanti ushtarak i Hamasit Muhammad Al-Deif lëshoi ​​një mesazh duke njoftuar operacionin “Stuhia Al-Aksa” dhe tha se grupi militant palestinez “shënjestroi pozicionet e armikut, aeroportet dhe pozicionet ushtarake me 5000 raketa”.

Sulmi masiv nga Rripi i Gazës erdhi si befasi. Situata është përshkallëzuar sërish kohët e fundit, veçanërisht në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Që nga e enjtja, katër palestinezë janë vrarë në sulmet e tyre ose në përleshjet me ushtrinë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re