Studiuesit nga Harvard T.H. Chan School of Public Health kryen një studim masiv të ndikimit të zakoneve shëndetësore në jetëgjatësi, duke përdorur të dhëna nga i mirënjohuri Studimi i Shëndetit të Infermierëve (NHS – Nurses Health Study) dhe Studimi i Profesionistëve të Shëndetit i cili ishte studim në vijim (HPFS – Health Professional Follow up Study). Ata kishin të dhëna për një numër të madh njerëzish për një periudhë shumë të gjatë kohore. NHS përfshinte në studim mbi 78,000 femra dhe i ndoqi ato nga viti 1980 deri në vitin 2014. HPFS përfshinte mbi 40,000 meshkuj dhe i ndoqi nga viti 1986 deri në vitin 2014. Pra, u përfshinë në total mbi 120,000 pjesëmarrës, kishte të dhëna prej 34 vitesh për femrat dhe 28 vitesh për meshkujt.

Studiuesit vlerësuan të dhënat që ishin mbledhur nga pyetësorët nga 2 studimet mbi dietën, aktivitetin fizik, peshën trupore, konsumin e duhanit dhe alkoolit.

Çfarë është saktësisht një mënyrë jetese e shëndetshme?

U zgjodhën 5 fushat e mësipërme duke u bazuar në të dhënat e studimeve të mëparshme që kanë treguar se ato kanë një ndikim të madh në rrezikun e vdekjes së parakohshme.

  1. Dieta e shëndetshme, e cila është vlerësuar bazuar në marrjen e ushqimeve të shëndetshme si perimet, frutat, arrat, drithërat, yndyrnat e shëndetshme dhe acidet yndyrore omega-3, si dhe ushqimet e pashëndetshme si mishi i kuq dhe i përpunuar, i pijet e ëmbëlsuara me sheqer të shtuar, yndyrat shtazore dhe sodium (kripa).
  2. Niveli i shëndetshëm i aktivitetit fizik, i cili përkufizohet si të paktën 30 minuta në ditë aktivitet i moderuar deri në aktivitet energjik çdo ditë.
  3. Pesha e shëndetshme trupore, e përcaktuar si një indeks normal i masës trupore (BMI) midis 18.5 dhe 24.9.
  4. Duhanpirja (në rregull, nuk ka sasi të shëndetshme të pirjes së duhanit). Të jesh “i shëndetshëm” do të thotë të mos pish kurrë duhan.
  5. Konsumimi i moderuar i alkolit.

Studiuesit vlerësuan gjithashtu të dhëna mbi moshën, përkatësinë etnike, përdorimin e ilaçeve dhe sëmundjet.

A bën ndryshim një mënyrë jetese e shëndetshme?

Siç rezulton, zakonet e shëndetshme bëjnë një ndryshim të madh. Sipas kësaj analize, njerëzit që plotësonin kriteret për të pesë zakonet gëzonin jetë shumë më të gjatë se ata që nuk kishin asnjë: 14 vjet për femrat dhe 12 vjet për meshkujt (nëse i kishin këto zakone deri në moshën 50 vjeçare). Njerëzit që nuk kishin asnjë nga këto zakone kishin shumë më tepër gjasa të vdisnin para kohe nga kanceri ose sëmundjet kardiovaskulare.

Zbatimi i qoftë edhe një prej këtyre zakoneve (vetëm një, pavarësisht se cilin), zgjati jetëgjatësinë e tyre me 2 vite. Nuk është për t’u habitur që sa më shumë zakone të shëndetshme të kenë njerëzit, aq më e gjatë është jetëgjatësia e tyre.

Pra, cili është problemi ynë më i madh?

Siç theksojnë autorët e këtij studimi, ne priremi të shpenzojmë për prodhimin e barnave cilësore dhe trajtimeve për sëmundjet, në vend që të përpiqemi t’i parandalojmë ato. Ky është një problem i madh.

Ekspertët kanë sugjeruar se mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëzit të ndjekin një dietë të shëndetshme dhe të ndryshojnë stilin e jetesës duke u fokusuar në një shkallë më të gjerë, në nivel popullsie, nëpërmjet përpjekjeve të shëndetit publik dhe ndryshimeve të politikave.

Nëse kemi udhëzime dhe ligje që na ndihmojnë të jetojmë më shëndetshëm, kompanitë e mëdha nuk do të shesin aq shumë ushqime të shpejta, patate të skuqura dhe pije energjike me gaz.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku

Burimi:

https://www.health.harvard.edu/blog/healthy-lifestyle-5-keys-to-a-longer-life-2018070514186

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re