Të gjithë e dimë se nëse doni të shmangni rrudhat, duhet të qëndroni larg diellit, t’i përkushtoheni rutinës së kujdesit të lëkurës, të shmangni duhanin dhe të ushqeheni shëndetshëm.

Por a e dini se diçka në dukje e padëmshme që bëni çdo ditë – ose, për të qenë të saktë, çdo natë – mund t’ju japë rrudha dhe madje të ndryshojë tiparet tuaja të fytyrës?

Mënyra se si flini dhe ndikimi që ka në fytyrën tuaj është bërë një temë e bisedave në rrjetet sociale. Në një video virale të TikTok, influencuesja e bukurisë amerikane Marianne pretendoi se forma e saj e pabarabartë e buzëve ishte shkaktuar nga gjumi në krah.

Postimi është parë pothuajse 15 milionë herë dhe ka grumbulluar pothuajse 7000 komente nga ndjekësit që duket se e kanë besuar teorinë e saj.

Por, ndërsa një nocion i tillë tingëllon i pabesueshëm a është e mundur që pozicioni juaj i gjumit të ndryshojë me të vërtetë simetrinë e fytyrës tuaj?

– Kur bëhet fjalë për rrudhat përgjigja është “Po”.

Por sa i përket tipareve tuaja, ekspertët janë të ndarë. Kate Kerr, facialiste klinike dhe drejtore e Klinikës Kate Kerr në Londër (katekerrlondon.co.uk) nuk ka dyshim se si gjumi mund të ketë një ndikim të rëndësishëm si në fytyrën tuaj ashtu edhe në dekolte.

Sipas një studimi në Revistën e Kirurgjisë Estetike, forcat e ngjeshjes, tensionit dhe presionit të madh që ushtrohen në fytyrat tona gjatë gjumit mund të çojnë në shtrembërim të fytyrës”, thotë ajo.

Një shtrembërim i tillë manifestohet si palosje dhe rrudha vertikale kur flemë anash ose me bark.

Këto palosje vertikale mund të fillojnë si rrudha të përkohshme të gjumit – shpesh përgjatë vijave që shtrihen nga hunda në cepat e buzëve – por me kalimin e kohës, ndërsa lëkura plaket dhe humbet aftësinë e saj për t’u kthyer, ato mund të bëhen të përhershme.

Megjithatë, kirurgu okuloplastik Dr Maryam Zamani, mendon se gjumi mund të luajë një rol në asimetrinë e fytyrës.

Fjetja në anën tuaj mund të shkaktojë presion të përsëritur në një zonë specifike, duke krijuar rrudha dhe duke përkeqësuar pamjen e linjave dhe rrudhave në anën e preferuar të gjumit. Kjo përkeqëson asimetrinë e syve, buzëve dhe fytyrës.

Gjumi me bark konsiderohet përgjithësisht pozicioni më pak i shëndetshëm për lëkurën tuaj. Fytyra juaj shtypet pas jastëkut, gjë që mund të shkaktojë rrudha dhe puçrra fytyre [si rezultat i fërkimit të lëkurës me jastëkun]. Kështu ndodh edhe me zonën e dekoltesë, e cila preket në të njëjtën mënyrë për shkak të fërkimit me jastëkun dhe çarçafët.

– Kur flini në shpinë, padyshim që nuk ka asnjë fërkim në fytyrën tuaj. Dhe gjithashtu lejon qarkullim më të mirë që mund të ndihmojë në parandalimin e akumulimit të lëngjeve në fytyrë, duke zvogëluar rrezikun e fryrjes dhe rrathëve të errët nën sy.

– Cilësia e gjumit është gjithashtu thelbësore për shëndetin e lëkurës.

– Shpesh këshillohen këllëfët e jastëkëve prej sateni ose mëndafshi që kanë më pak gjasa të shkaktojnë fërkime me lëkurën.

– Aplikimi i një kremi hidratues para gjumit mund të ndihmojë në hidratimin e lëkurës tuaj dhe të krijojë një pengesë kundër fërkimit, duke reduktuar mundësit për shfaqjen e rrudhave të gjumit.

– Pirja e mjaftueshme të ujit gjatë ditës  ndihmon në mbajtjen e lëkurës të hidratuar, duke e bërë atë më elastike ndaj efekteve të pozicionit të gjumit.

– Për linjat më të holla, dermatologët rekomandojnë hidratimin duke përdorur përforcues të lëkurës ose mesoterapi, ku bëhen injeksione të vogla të acidit hialuronik në lëkurë për të stimuluar prodhimin e kolagjenit dhe për të tërhequr ujin në sipërfaqen e lëkurës.

Në fund të fundit, ndërkohë mënyra e duhur se si flini, mund të pengojë shfaqjen e rrudhave./ DailyMail.co.uk

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re