Shkrim monografik nga Xhane Imeraj

“Arti largon nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme.”

– Pablo Pikaso

Filmi konsiderohet të jetë një ndër format më të rëndësishme të artit. Jo më kot është quajtur elita e arteve, `arti i shtatë` i cili përmbledh të gjitha artet e tjera, si dhe një medium i fuqishëm për edukimin dhe orientimin e qytetarëve, nëpërmjet interpretimit dhe asaj çfarë kjo artform përcjell artistikisht.

Edhe pse në kohë dhe kushte të vështira, ndonëse me një lloj përkrahje, por njëkohësisht edhe kufizime, ndërhyrjet, e sidomos fryma ideologjike që e shoqëroi kryesisht gjatë viteve të regjimit komunist, në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, të gjithë e pranojmë, e dëshmojmë dhe nuk mund ta mohojmë dot, se u bë art i vërtet dhe u krijuan vepra artistike me vlera të mëdha kombëtare, të realizuara dhe të interpretuara me mjeshtëri të lartë skenike dhe pasion nga aktorët tanë, të cilët kanë lënë gjurmë të arta në historinë, progresin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare.

Ndaj, sot themi se, në panteonin e shndritshëme të aktorëve shqiptarë, pavrësisht rënditjes apo përmasave të diamantëve, ata të gjithë së bashku formuan dhe vazhdojnë të formojnë mozaikun e mrekullueshëm të Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare.

Një diamant i tillë, pjesë e këtij mozaiku të çmuar për ne, është dhe aktorja Merita Gjyriqi.

KUSH ËSHTË MERITA GJYRIQI..?

Merita Gjyriqi, është një ndër aktoret e teatrit, filmit dhe kinematografisë shqiptare, ku ka pasur fatin e mirë të ndërsjelltë, të interpretojë dhe të luajë në teatër dhe filma me një yjesi aktorësh dhe artistësh që kanë lënë gjurmë të pashlyera në fushën e artit si: Albert Vërria, Hajrie Rondo, Birçe Hasko, Margarita Xhepo, Fatos Sela, Xhuljeta Kulla, Pavlina Mani, Natasha Sela, Dritan Boriçi, me aktorët kosovarë Xhevat Qorraj, Hadi Shehu dhe me shumë, shumë të tjerë yje të kësaj galaktike. Një aktore e lindur për të përcjellë fjalën e bukur artistike.

JETA E HERSHME …

Merita Gjyriqi, lindi më 20 dhjetor të vitit 1946-të, në qytetin e Kuksit. Erdhi në jetë në atë qyetet të bukur pasi në atë kohë babai i saj ishte transferuar për punë atje, duke marrë kështu edhe familjen me vete. Origjina e aktorës është një tjetër qytet i bukur alpin, dhe pikërisht qyteti i Bajram Currit.

Ajo lindi nga dy prindër të mrekullueshëm. Mal Rexhepi, babai i aktorës, ka kryer Akademinë Ushtarake në Tiranë, dhe në periudhën e Zogut ka qenë Kapiten i Parë duke shërbyer në Tiranë, Përmet, Kukës ku i është bashkuar edhe Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ka shërbyer pas çlirimit në Kukës si Nënkomandant i Qarkut për Kosovë e Metohi, dhe më vonë me dëshirën e tij kthehet në vendlindje, në Tropojë. Mamaja e aktores Elma (të cilën e thërrisnin Make) Sevrani, një zonjë e vërtet me origjinë nga qyteti i trëndafilave, qyteti i bukur i Përmetit. Ajo gjithashtu ka pasur një shpirtë artistje, tharmin e të cilës siç duket e ka trashëguar tek e bija… ajo këndonte bukur, po doemos, të jesh nga qyteti i trëndafilave dhe i sazeve të mrekullueshme Përmetare, por, pse jo dhe duke jetuar mes një natyre të mrekullueshme malore si ajo e Tropojës dhe me njerëz po aq të mirë. Makja, është personi që ka mbjell trëndafilat e parë (trëndafilin e butë ) në Kolgecaj, Tropojë. Për disa kohë ka punuar si shitëse në Tropojë. Për fat të keq, vdiq shumë e re.

Vellai dhe dy motrat e Meritës, kanë kontribuar gjithashtu për artin, kulturën, për letërsinë, zhvillimin dhe jetën sociale, në vendlindjen e tyre.

ARSIMI…

Arsimin fillor dhe atë 7-vjeçar, aktorja Merita Gjyriqi i bëri në vendlindjen e saj, në Tropojë. Më pas kreu shkollën e mesme pedagogjike “ Shenjaze Juka” në Shkodër, duke ushtruar kështu më vonë profesionin e bukur të mësuesuesisë për pak kohë, në vendlindjen e saj.

Në vitet 1968-1972 studioi në Institutin e Lartë të Arteve, (Akademine e Arteve) në Tiranë në degën e Dramës. Mbrojti diplomën duke luajtur në dramën “ YLLI PA EMËR”, e cila ishte edhe tema e saj e diplomës. Një dramë kjo e dramaturgut rumun Mihail Sebastian, me regjisor prof. Mario Ashiku, ku aktorja Merita Gjyriqi luajti përkrah aktorit Agim Qirjaqi, të cilin në atë kohë e kishte edhe shok kursi, ashtu si dhe disa miq të tjerë. Ndërsa udhëheqësi i kursit ishte, Kujtim Spahivogli. Mbrojtja e dipolmës, për fatin tim të mirë, shprehet aktorja, u ndoq edhe nga “Idhulli im”, aktori shqiptar me famë botërore, Bekim Femiu.

KARRIERA …

Merita Gjyriqi, është aktorja e parë femër në vendlindjen e saj, në rrethin e Tropojës, duke thyer kështu një tabu, tregues ky i rritjes së shkallës së zhvillimit dhe emancipimit të gruas në atë rreth. Angazhimet amatoriale qysh në moshë të re me estraden e qytetit të Bajram Currit, ku këndonte por edhe interpretonte, ishin fillesat e para drejt karrierës artistike.

Aktorja Merita Gjyriqi, u bë pjesë e kinematografisë shqiptare që nga auditori, që studente, duke marr pjesë në filmin “Kapedani”, prodhim i vitit 1972-shit, në të cilën e shohim të interpretojë përkrah “Artistit të Popullit”, aktorit Albert Vërria, duke nisur kështu udhën e bukur të aktrimit dhe interpretimit të fjalës artistike. Një udhë kjo sa e bukur, aq dhe e vështirë, brënda hapësirës së gjerë dhe të ngushtë të mundësive që u ofronte koha e atëhershme, lisnajës së dendur të aktorëve.

Menjëherë pas diplomimit, aktorja Merita Gjyriqi emërohet nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës si aktore në trupën e teatrit “Bylys” të Fierit. Në harkun kohor të viteve 1972-2002, punoi si aktore në tetarin “Bylys”, ku ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha premierat, luajtur dhe interpretuar shumë, shumë role, duke u bë gjithashtu pjesë e një grupi të madh aktorësh, të cilët u dalluan për lojën kompakte, vlerat artistike, disiplinën skenike, etj.

• Krahas roleve të shumta që interpretonte në atë kohë në dramë, komedi, shfaqje të ndryshme që viheshin në skenë nga trupa e teatrit “Bylis”, aktorja Merita Gjyriqi, angazhohet edhe në disa filma artistik, siç ishte filmi “Rrugë të bardha”, prodhim i vitit 1974, me regji të regjisorit Viktor Gjika, ku luante rolin e ‘Luizës”, gruas së sëmurë në barelë, të cilën po e dërgonin për në spital.

• Në filmin “ Udhëtim në pranverë”, prodhim i vitit 1975, me regjisor Qerim Mata, aktoren Merita Gjyriqi e shohim në rolin e oficeres së re.. Për realizimin e këtij filmi ndihmuan edhe amatorët e qytetit të Bajram Currit dhe të Vlorës, ku mes tyre shohim edhe këngëtaren e mirënjohur Fatime Sokoli, “Artiste e Merituar”.

• Merita Gjyriqi, itnterpretoi gjithashtu edhe në dramën e njohur “Dy krisma në Paris”, një dramë nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla., vënë në skenë nga trupa e teatrit dramatik “Bylis” të Fierit, më 1980-ën. Në këtë dramë, aktorja luajti rolin e `sekretarës së gjyqit`. Një dramë e arrirë dhe e suksesshme në atë kohë, e cila u shfaq rreth 250- net, duke u ndjekur nga spektatori në mbarë vendin. Më pas kjo dramë ishte planifikuar të shfaqet edhe në Kosovë, por u anullua ngaqë në atë kohë filluan demonstratat e `81-shit. Ishte menduar të shfaqet gjithashtu edhe në Zvicër, por edhe ky plan u anullua.

• Më pas kemi filmin artistik “Vitet e pritjes”, xhiruar në vitin 1989-të dhe i shfaqur në 1990-ën, me regji të Esat Musliut, Në këtë film aktorja Merita Gjyriqi shfaqet disaherë gjatë filmit duke interpretuar me profesionalizëm dhe me një ndjeshmëri therëse, e bërë njësh me rolin e saj të gruas dhe kohës së trishtë

• “Kosovë, kurrë s’tu nda gazepi”- film televiziv 1996-ës, me skenar të Niman Muçaj, sipas motiveve të romanit:”Leshoma hisen e diellit” të Adem Istrefit, luajtur në Shqiponjë /Jabllanicë, komuna e Gjakovës, Kosovë. Në këtë film aktoreja Merita Gjyriqi luan rolin e “Hanifes” gruaja me fëmijën në djep, ku kacafytet me çetnkitët serb si shqiponjë mali për të mbrojtur të voglin e saj. Në këtë film aktorja skaliti në interpretim karakterin e gruas, nënës kosovare në dhimbje dhe në qëndresë. – Kam shkuar atje nga Mali i Zi, thot aktorja, kemi xhiruar duke u ruajtur..!

• Në filmin artistik “Kur shpirti ndërron jetë” realizuar në vitin 2001, me regji të regjisorëve Ismail Ymeri dhe Meidi Popaj, xhiruar në një ndër qytetet më të vjetra të Kosovës, në Rahovec, aktorja Merita Gjyriqi në këtë film luan rolin e “Mësuese Rozës”. Film i bazuar në ngjarje të vërtet, i cili flet për periudhën e luftës dhe krimet çnjerëzore të asaj kohe, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky film flet për Masakrën e Rahovecit. Një bashkëpunim ndërmjet aktorëve nga Kosova dhe Shqipëria.

• Në telenovelen e parë shqiptare , ” Njerëz dhe fate” realizuar rreth vitit 2002-2003, me regji të regjisorit Ylli Pepo, aktorja Merita Gjyriqi u ftua nga regjisori të interpretonte rolin e Katerinës, mamasë së Andetës, duke portretizuar kështu mamanë e shqetësuar për sjelljen e vajzës së saj, në ato kohë të vështira të tranzicionit që po kalonte vendi ynë.

• Merita Gjyriqi, ka interpretuar gjithashtu në filmin shqiptar “Mali i harrum”, realizuar në vitin 2018-të, me skenar dhe regji nga Ardit Sadiku, xhirimet e të cilit janë bërë në fshatin Theth të Shkodrës, një bashkëpunim ky gjithashtu ku luajnë aktorë nga Kosova dhe Shqipëria. Në këtë film aktorja Merita Gjyriqi shfaq gjithashtu profesionalizmin e saj, duke e trajtuar rolin e Diellës, (komshies) me një zë të kthjellët, thjeshtësi, hijeshi dhe vitalitet të admirueshëm.

“Një aktor duhet të digjet brenda me një lehtësi të jashtme.”

–shprehje aktori dhe regjisori ruso-amerikan, M. Chekhov.

Teatri “Bylis” i Fierit, një tempull i shenjtë për aktoren Merita Gjyriqi, ku ndertoi karrierën e saj prej 30 vitesh të arta, duke iu dhënë shpirt dhe karakter dhjetëra roleve teatrale, duke luajtur dhe interpretuar në shumë drama dhe komedi të vëna në skenë. Siç ishte drama “Dy krisma në Paris”(1980), “Gjëmimi i atij dimri”(1976), “Shoku Niqifor”(1982), “ Pse”, “Historia e një vajze”, “Vite të Paharruara”, “Plagë dhe plumba”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Shtrigat e Salemit”, “Kërkohet një gënjeshtar” e shumë të tjera. Dhe pikërisht komedia ” Kërkohet një gënjeshtar” ishte dhe shfaqja e fundit në teatrin e “Bylis” të Firit, për aktorën Merita Gjyriqi, e cila në janar të vitit 2002 doli në pension.

Dy vitet e fundit të karrierës së saj në Tetrin e “Bylisit, punoi edhe si regjisore në Teatrin e Kukullave pranë po këtij teatri. Mbas lënies së trupës nga ana e regjisorit Arqile Lici, Teatri i Kukullave u drejtua për dy vjet nga aktorja Merita Gjyriqi, e cila bëri përpjekje për t’i dhënë jetë apatisë së lindur gjatë kësaj kohe, e cila përkonte me ndryshimin e sistemeve politike në vendin tonë.

Në festën e 40-vjetorit të krijimit të teatrit “Bylis”, në Fier, më 2011-ën, si shumë aktorëve të tjerë edhe aktorës Merita Gjyriqi i është dorëzuar një certifikatë “Mirënjohje” për kontributin e shumë viteve dhe me mjaftë vlera që ka dhënë në këtë institucion.

• Merita Gjyriqi ka marrë pjesë gjithashtu në disa aktivitete me Ansamblin Dardania të Tropojës, si prezantuese, sidomos gjatë periudhës së luftës së Kosovës.

Pas daljes në pension në vitin 2002, aktorja Merita Gjyriqi u largua nga Fieri, qyteti i saj i dytë, siç shprehet aktorja, duke u rikthyer për të jetuar në vendlindjen e saj të dashur në Tropojë. Aty për katër vite me radhë drejtoi grupin e aktrimit në Qendrën Kulturore të qytetit të Bajram Currit, duke vënë në skenë edhe katër shfaqje me femijët e talentuar të kësaj qendre.

Aktualisht Merita Gjyriqi, vazhdon të jetë në pritje të ndonjë ftese për të luajtur në një tjetër film apo teatër të ri, ndërkohë me zërin e saj të pastër, të bollshëm dhe me një timbër aq të ëmbël, vazhdon të interpretojë poezi të autorëve të ndryshëm, disa prej të cilave i ka të hedhura në “YouTube” nga “Studio Aldi”, ku mund t`i ndjekim me kënaqësi, siç janë vargjet e poetit Petrit Ruka- “Vajtimi i Ajkunës”, “Vaji i bilbilit”- Ndre Mjeda, “Gomari i Babatasit” të Gjergj Fishtës, e shumë interpretime të tjera mjeshtërore.

Sot në një moshë relativisht të madhe, në dukje shumë më e re nga vitet në numëra, me një portret nurndritur, e kthjellët, e matur dhe me një shtatlartësi bjeshkësh, karakteristikë e atyre anëve, vazhdon të jetë aktive në jetën kulturore sa herë që ftohet nga organizatorë të eventeve të ndryshme, si dhe aktive në rrjetet soiale, `fb`.

NUK MË PËLQEN TË LUAJ MADHËSHTIN

– Intervistë.

Që të mund të mësonim edhe më shumë për jetën dhe karrierën artistike të aktores Merita Gjyriqi, për të cilën pohoj me habi dhe me një ndjenjë pezmatimi, nuk arrita të gjeja asnjë material të shkruar, mendova që brenda këtij shkrimi t`i bëja vend edhe një interviste virtuale, (virtuale, për shkak të situatës që po kalojmë), për të cilën mora miratimin e menjëhershëm të aktores tonë të dashur, bashkë me shprehjet:

– Të falenderoj shumë!

Është kënaqësi e vaçant për mua!

Por nga ana tjetër ishte tejet kënaqesi dhe nder për mua personalisht, por besoj se edhe për lexuesit dhe artëdashësit e shumtë, gjithashtu.

Pyetje – Përgjigje:

1. A mund të më flisni pak për jetën tuaj private?

– E respektoj! Ajo më takon vetem mua.

2. Si ka qenë fëmijëria juaj?

– E rrethuar me dashuri. Me prindër të mrekullueshëm dhe një gjyshe Zonjë gua që na ka mësuar shumë, ka qenë gjithmonë pranë nesh. Ne kemi pasë fatin të kemi dy palë prindër, edhe xhaxhain me gruan e tij, pra një privilegj. Kohë që nuk vjen më… shumë nostalgji. Ata sot janë kthyer në engjëj mbrojtës për ne.

3. Zakonisht, si është përditshmëria juaj? Si e kaloni kohën?

– Më pëlqen natyra, aty gjej qetësi. Kaloj shumë kohë pranë saj. Është frymëmarrje.

4. Çfarë zhanëri të letërsisë lexoni zakonisht? Kush është autori/autorja apo autorët tuaj të preferuar?

– Tani lexoj poezi më shumë, aty e gjej vetën. Në rinin time kam lexuar shumë, veçoj Çehovin, Ibsen, Tolstoin, Pushkinin, etj. Kryesishit letërsi ruse.

5. Kush apo çfarë ju nxiti apo ju frymëzoi të bëheni aktore?

– Herët unë kam kënduar por edhe interpretuar pranë Estradës së qytetit tim, Bajram Curri, aty shenjohen fillesat e mia të para. Aktrimi ishte ëndrra ime… konkurova, fitova, dhe me jo pak mund e realizova.

6. Pas diplomimit, menjëherë u emëruat nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës të asaj kohe, aktore në teatrin “Bylys” të Fierit. Ju pëlqeu ky emrim? Si e pritët?

– Po, pas diplomimit u emërova në Fier. Realisht, nuk e prita dhe aq mirë këtë emërim, pasi më dukej shumë larg, por duhej të shkoja patjetër… kishte rregulla atëherë. Megjithëse kisha qenë edhe më parë në Fier, me shfaqjen “YLLI PA EMËR”, që kisha si temë për diplomën. Një qytet i bukur! Nuk e kisha menduar se pikërisht aty, në qytetin e Fierit, do të kaloja vitet më të bukura. Kjo është jeta…

7. Si ju pritën në Fier, si u ndjeve në atë qytet, mes atyre banorëve?

– Në punë u paraqita me shumë vonesë, ngaqë nuk doja të shkoja. Trupa e teatrit ishte nisur në turne. Takimi im me trupen ka qenë në Berat. Interesante…. jetë bohème! Megjithatë, pritja ishte shumë e mirë..

8. Në karrierën tuaj do keni pasur plot momente të bukura. Do t`i ndash me mua dhe lexuesin artdashës disa momente dhe emocione të tilla?

– Ka pasur edhe momente të bukura edhe të veshtira… Të them të drejtën kam pasur më shumë momente të veshtira ne karrierën time, e ato nuk dua t’i kujtoj… Unë di një gjë, që shoqëria më ka dashur dhe respektuar vërtet shumë, si në teatër dhe jashtē teatrit. Prandaj Fierin unë me gjithë zemër e quaj, qytetin tim të dytë. I fala rinin. Atje e kam ndjerë vetën shumë mirë. Fierakët janë shumë artdashës.

9. Mundë të më tregoni disa nga vështirësitë që ju keni hasur gjatë karrierës tuaj?

– Kam pasur shumë vështirësi, shumë… por, nuk jam përulur asnjëherë edhe pse e vetme, ja kam dalur. Më ka shoqëruar gjithmonë fjala e babait tim: “ Bija ime, kurrë mos u dorëzo. Qëndro e fort. Po të nis,vetëm.”

10. Jeni ndjerë ju e vlerësuar si gjithë aktoret e tjera të brezit tuaj, në veçanti nga drejtuesit dhe bashkëpunëtorët tuaj?

– Mbaj mend një thënie të një aktori francez, në mos gaboj: “ Talent, punë, e natyrisht FAT.” Unë i besoj fatit.

11. A ka pasur raste që ju keni dashur të interpretoni role të ndryshme, qoftë në teatër apo film, por nuk u është dhënë mundësia?

– Po, kam pasur raste dhe dëshira të tilla. Kjo ju ndodhë të gjithë aktorëve. Ndodh …

12. Jeni ndjerë ndonjëherë e nënvlerësuar, apo e mënjanuar mbase me pa të drejtë?

– Të jem e sinqertë, nuk jam ndjerë asnjëherë e tillë. Kisha besim tek vetja.

13. Rezultoni të jeni aktorja e parë femër në vendlindjen tuaj, në Tropojë. Si jeni ndjerë në atë kohë si e tillë?

– Ishte privilegj për mua, theva akullin… Ndjehesha e privilegjuar, por, gjithmonë me këmbë në tokë. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë, të luaj madhështinë.

14. A jeni ndjerë e vlerësuar nga vendlindja juaj si e tillë? Si e ka shprehur ajo vlerësimin e saj ndaj jush?

– Ku ka me mirë sesa të marrësh duartrokitjet e publikut. Ky është vlerësimi më i madh. Unë përulem para tij, me shumë respekt.

15. Nëse do kishit mundësi të riktheheni edhe njëherë në kohën e përzgjedhjes së degës së studimit, do bënit përsëri të njëjtën zgjedhje?

– Po! Do bëja të njëjtën zgjedhje edhe pse kam ecur nëpër një rrugë shumë të veshtirë. Po, jetoj me të…

16. Ekonomikisht, ndjeheni e shpërblyer për ato çfarë keni arritur dhe realizuar gjatë gjithë karrierës tuaj?

– Cili është ai artist, që u shpërblye……

17. Ju tashmë keni dalur në pension, edhe pse një aktor mund të interpretojë në çdo moshë. Pensioni që ju merrni, a është në nivelin e vlerësimit të figurës tuaj, nivelit të një artisteje si Ju?

– Si të gjithë artistët….. Për brezin tim, mund të them se jo… Kemi punuar me shumë pasion.

18. Mbani mend, sesa role gjithsej keni luajtur në teatër dhe film?

– Kam interpretuar pothuajse në të gjitha premierat e teatrit në Fier, dhe në disa filma artistik.

19. Ndjeheni e realizuar në kahun profesional?

– Artisti nuk ndjehet kurrë i realizuar. Ai kërkon gjithmonë.

20. Si titullohet filmi apo teatri që keni luajtur kohet e fundit. Kur dhe ku është realizuar ky film? Ç`rol keni luajtur?

– Diella, roli që kam luajtur tek filmi “Mali i harrum”, prodhura më vitin 2018-të, me një regjisor të ri, Ardit Sadiku, shumë komunikues, me aktor të përzgjedhur, në një vend shumë të bukur, në Theth të Shkodrës. Një bashkëpunim ku luajnë aktorë nga Kosova dhe Shqipëria.

21. Filmi “Vitet e pritjes”, me regji të Esat Musliut. Një film mjaft emocionues, ku interpretoni edhe Ju mes shumë aktorëve të njohur… Ç`mund të më thoni rreth realizimit të rolit tuaj në këtë film?

– E kujtoj me shumë nostalgji! Është kënaqësi të punosh me një regjisor të talentuar si Esat Musliu, dhe të jesh e rrethuar me një grup shumë të mirë. Nostalgji!

22. Në filmin “Kapedani”, ku luani përkrah “Artistit të Popullit”, Albert Vërria, ju shoh në harkun e fare pak minutave, në rolin e shoferës së taksisë. Ky film përveç mesazhit që përcjell, përmban edhe shumë batuta. Mes tyre vazhdon të përmëndet edhe sot nga artdashësit pjesa ku interpretoni Ju: -“Dale xhaxho ç’pate?… shoqëruar me buzëqeshjen tuaj të bukur. Më flisni pak rreth realizimit të këtij roli?

– Isha studente përballë të madhit Bert Vërria. – ” prapa diellit”… Ishte kënaqësi!

23. Kohët e fundit keni interpretuar edhe përkrah aktorëve kosovarë. Tek filmin “Mali i harrum”, ju shoh të luani përkrah aktorit të njohur Xhevat Qorraj, e të tjerë. Ç`mund të më thoni?

– Ishte eksperiencë për mua. Me pëlqeu shumë thjeshtësia dhe komunikimi i tyre mjaftë njerëzor.

24. Ju shoh të luani edhe në telenovelen e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”. Ç`mund të më thoni diçka interesante rreth pjesëmarrjes tuaj në këtë risi?

– Edhe kësaj rradhe punova me një regjisor shumë të mirë, Ylli Pepo… dhe aktor gjithashtu. Ishte kënaqësi të isha tek telenovela e parë, të gjitha pjesmarrjet e mia kanë qenë eksperiencë….i vlerësoj.

25. Momentalisht a keni ju një kërkesë, ofertë për të luajtur në ndonjë film apo teatër? A do e mirëprisnit një ftesë të tillë?

– Nuk kam, po të me vinte do ta mirëprisnja me kënaqësi. Aktori nuk ka moshë!

26. Keni drejtuar për dy vite Teatrin e Kukullave në Fier. Si ishte kjo eksperiencë për Ju?

– Kur mora regjinë e Teatrit të Kukullave, realisht nuk është se e mora me dëshirë dhe e pata të veshtirë në atë kohë, por, Fieri ka pasur një trupë të shkëlqyer dhe kjo më ndihmoi shumë. Kemi realizuar shfaqje shumë të bukura. Nga aty fillova të kem shumë deshirë të realizoja shfaqje për ketë grup moshe. Kurë u ktheva në qytetin tim, në Bajram Curri, punova me qendrën kulturore të fëmijëve, me teatrin, ku për katër vite realizuam katër shfaqje shumë të bukura dhe me të vërtet mora shumë kënaqësi.

Nuk ka më bukur se sa të punosh me këtë moshë. Mëson shumë.

Qendra ka pasur femijë shumë të talentuar. Kjo ka qenë një periudhë shumë e bukur për mua. Fëmijët janë krijesa të pafajshme… mosha më e bukur.

27. Angazhimi juaj i herëpashershëm si prezantuese..?

– Kam ndihmuar si prezantuse edhe pse ndërkohë isha në Fier me punē, në disa koncerte të organizuar në Bajram Curri, në Gjakovë, po ashtu në Teatrin e Operas në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Kulturës, kam prezantuar koncertin e parë të “Sofrës Dardane”e cila më parë është quajtur “Sofra e Dukagjinit”. Mund të them se ishin momente të bukura për mua, mbështetja dhe duartrokitjet e ngrohta të spektatorit, mbeten tek unë të paharruara.

28. Para një viti, në gusht, ishit në rolin e Kryetares së jurisë, së konkursit të bukurisë “Shtojzovallja e Bytyçit”-2019, e ftuar nga Shoqata Bytyçi, një nga shoqatat më të mëdha në rrethin e Tropojës, e cila organizon festë dhe takime kulturore prej shumë vitesh. Si u ndjetë në këtë takim, në këtë pozicion?

– U ndjeva vërtet e nderuar nga Shoqata Bytyçi, Një shoqatë që shpalos vlerat e krahinës duke i ruajtur traditat sa më të gjalla për brezat e ardhshëm. Ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë festë. Këtē radhē ishte diçka e veçant, një risi edhe për vetë shoqatën, organizimi i konkursit të bukurisë, ku vihej edhe më në pah bukuria e vajzave të kesajë krahine “Shtojzavallja e Bytyçit”- 2019, ideuar nga Xhane Imeraj, antare dhe organizatore e kësaj shoqate, e cila më nderoi duke më ftuar në këtë konkurs si kryetare të jurisë. Të përzgjidhnim dhe të merrnim një vendim e kishim pak të veshtirë, por, si juri na duhej të zgjidhnim gjithsesi… Ato ishin të gjitha të bukura… Një ditë me plot aktivitet, mes natyrës së mrekullueshme të Parkut të Dajtit. Kaluam vërtet shumë bukur!

29. Aktualisht ku banoni dhe si e kaloni ditën, kohën e lirë…?

– Banoj në qytetin tim të bukur, në Bajram Curri, më qetësojnë bukuritë e tij, prandaj dhe jam kthyer të jetoj këtu, në kohën kur shumë të tjerë largoheshin. Ka mjaftë vende ku mund të dalesh,.. çdo gjë është e bukur. Qyteti im i rrethuar me male. Këtu ka oksigjen……

30. Keni ju një mesazh, që do të donit t`ia drejtonit artdashësve, publikut? Kujt i jeni mirënjohëse, kë do të donit të falenderonit sot?

– Falenderoj publikun! Uroj të ketë sa më shumë shfaqje të bukura për publikun. Publiku ynë meriton shumë. Pa ata, ne nuk jemi asgjë.

Të falenderoj Artiste!

– Faleminderit Ty!

ËSHTË PUNA AJO QË FLET PËR TY, MË BUKUR SE ASKUSH TJETËR

Në një film, teatër apo shfaqje është normale të përmenden apo të shkruhen emrat e aktorëve që luajnë personazhet kryesore, por, kjo nuk do të thotë aspak që aktoret e tjerë që mund të mos kenë rol parësor, ndoshta as dytësorë, madje mund të ndodhë të jenë edhe figurant, fishkëllyes apo thjeshtë zhurmues, në skenë apo i fshehur pas skene, të gjithë janë aktor, janë pjesë e filmit, dhe në të ashtuquajturat role të vogla, që unë nuk i shoh dhe as nuk i vlerëso si të tilla, ata janë pikërisht aty ku skenaristi dhe regjisori i kanë vendosur si pjesë po aq e rëndesishme të teatrit apo filmit, ku pa të cilët edhe pse në dukje fragmente të shkurtëra dhe të thjeshta, as filmat më të arrirë dhe më të populluar qoftë në Shqipëri apo kudo nuk do mund të realizoheshin të plotë si të tilla, nëse nuk do ishte kjo ndërthurje e të gjithës në të gjithën, e të voglës në të madhen dhe anasjelltas.

Ndaj si të tillë edhe këta aktorë me të drejtë meritojnë vëmëndjen, përkrahjen, nderimin dhe vlersimin e kritikës artistike, institucioneve shtetërore përkatës dhe jo të mbetën në hije dhe të krijohet hëndek mes artistëve, e aq më keq diferenicim mes të njëjtit nivel.

Sot aktorja e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare Merita Gjyriqi, të cilës i kushtoj këtë shkrim, me 30 vite punë si aktore, periudhë kjo brenda emrimit si aktore gjer në daljen në pension, pasi aktorja ka vazhduar të aktrojë edhe pas daljes në pension, si dhe vazhdon të jetë në pritje të ndonjë oferte të tillë…Teksa e pyes nëse është ndjerë e vlerësuar si artiste, më përgjigjet kaq bukur: “Ku ka me mirē se sa të marresh duartrokitjet e publikut! Ky është vlerësimi me i madh për mua. Unë përulem para tij me shumë respekt.”

Dhe vërtet ky është vlerësimi më i madh për çdo artist, të fitojë zemrën e publikut dhe duartrokitjet e tij të ngrohta. Por nga ana tjetëre pyes me kureshtje sesa e vlerësuar është kjo artiste nga shteti, institucionet e kulturës? Sa e vlerësoi qyteti i Fierit ku dhe kontribuoi plot 30-të vite në teatrin “Bylys”? Sa e ka vlerësuar vendëlindja e saj Tropoja, si të parën aktore femër në gjirin e saj? Sa e vlerësuar ishte apo është nga njerëzit e letrave, publicistët, gazetarët kulturorë të cilët duhet por dhe është detyra e tyre profesionale të identifikojë, të shkruajë dhe të flasë rreth njerëzve të vlerave, rreth atyre që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e nivelit kulturorë në shoqëri?

Artistës i është dhuruar një Mirënjohje…

Në festën e 40 vjetorit të krijimit të teatrit “Bylis”, në Fier, më 2011, si shumë aktorëve të tjerë, edhe aktorës Merita Gjyriqi i është dhënë një Certifikatë “Mirënjohje” për kontributin e shumë viteve dhe me mjaftë vlera që ka dhënë në këtë institucion.

Ndërsa po shkruaja këtë pjesën e “Mirënjohjes”, për një çast ndërmenda si një film me metrazh të shkurtër, kohën dhe vitet e shumta dhe të vështira, kontributin e aktorës Merita Gjyriqi, në film dhe teatër, rolet, interpretimet, xhirimet e shumta, veshtirësitë qoftë ato profesionale, ekonomike etj.. E teksa shohim sot, “qytetar nder këtej, qytetar nderi andej”, “breshër “ titujsh, çmimesh dhe mirënjohjesh që dhurohen çdo ditë thuajse për hiç gjë, për një bejte , për një tallava, për një palo paçavure, pseodoart, padashur t`i fus të gjithë në një torbë. Nuk më duket aspak i drejtë ky turr vlerësimesh pa kriter, që të mos them gati-gati një absurd, kur një artiste e tillë dhe shumë emra të tjerë të vlerave të mbeten në hije dhe në heshtjen e mosmirënjohjes.

Titulli, çmimi dhe mirënjohja nuk janë thjeshtë ca kartona me mbishkrimin e tyre, apo letëre që `si e dhamë, si nuk e dhamë/ si e morën, si nuk e morën`, siç ngjan fare rëndomtë sot. Mirënjohja është një virtyt i çmuar, një çmim i lartë, e konvertuar në formen e një certificate, titulli apo medalje, të cilat përbëhen nga një ndjenjë e lartë vlerësimi, detyrim moral dhe institucional ndaj personit kontributi i secilit meriton falenderimin, mirënjohjen dhe respektin e të gjithëve. Padiskutim, aktorja e nderuar Merita Gjyriqi ka merituar dhe meriton nderim dhe vlerësim të lartë.

Pyetja dhe njëkohësisht habia imë (edhe pse nuk duhet të më habit asgjë sot) në gjithë këtë është kjo, si ka mundesi që të ketë shkuar kaq gjatë pa u vlerësuar dhe nderuar ashtu siç e meriton kjo Artiste?! Të nderosh një të tillë artiste kemi nderuar artin, kulturën, dinjitetin, njeriun, vetën tonë, por edhe kemi bërë detyrën.

Gjithsesi, fatëmirësisht, është koha ajo që nuk harron, duke mbajtur në shënim gjurmet e atyre që me të vërtet gdhendin lartësive emrin e tyre me mund dhe djersë.

Nuk ka më bukur sesa kur dëshmon puna jote, për ty.

FJALA E KOLEGËVE DHE E MIQVE ARTISTË

1. Aktori i mirënjohur Dritan Boriçi

Merita ka qenë “Mbreteresha “ e Teatrit Bylis. Padiskutim një aktore që e ka bekuar Zoti me shumë talent. Por ky vend nuk i përkrah aktoret e vërtete. Mediokrit dhe servilet janë ata që shtrojnë rrugën e pushtetit. Merita- uragani i Veriut në Myzeqe. Njeriu tek artisti. Nderim, Merit!

2. Poeti, shkrimtari, aktori Azem Baliaj

Arti në shekuj ka njohur zhvillim kudo në botë, natyrisht duke nisur mbase nga metropolete e botës, por botë është çdo vend dhe çdo shpirt për të prodhuar art! Në fillimet e jetës së një qyteti të ri, familja e Mal Rexhepit, ndoshta më qytetare që pa u shpallur qytet Kolgecajt, kishte njohur e shijuar art në metropole. Tani po rriste në folenë e vet bijtë dhe bijat e artit. Bija e kësaj familjeje, mikja jonë artiste Merita Gjyriqi që herët doli në skenë bukurisht dhe me pasion të ndjere dhe mbi të gjitha cilësor për skenën. Më vonë studioi në Akademinë e arteve dhe në dipllomimin e saj kam patur fatin në adoloshencë të ndjek një mrekulli të jetës saj: Komedine e autorit rumun Mihail Sebastjan “YLLI PA EMER” me regji të Mario Ashikut, ku Mertita jonë e dashtune luante rolin e Mones. Shkelqeu bashke me Agim Qirjaqin e miqtë e tjerë të kursit. Kritika letrare pati shkruar gjatë. Interpretoi dhe në disa filma denjesisht. Më vonë u vendos në Teatrin “BYLYS” te Fierit dhe luajti mjaft role për të cilat nuk kam përse ndalem hollësisht. Potente në skenë, me hire dhe zë brilant. Mike e çilter e të gjithëve. Dashamirëse e talenteve. Motër e dy poeteve, një dramaturgu dhe fotografi. E nderuar përherë nga brezat bija e Malsisë Gjakovës, prej se cilës ajo nuk pret, por Malsia duhet ta nderojë me tepër sepse duke nderuar artistet si Merita Gjyriqi, nderon vetën. Ty mike Xhane, të falenderoj nga zemra për rizgjimin e vlerave shpirtërore të trevës tonë.

3. Aktori i mirënjohur Shpëtim Shehu

Merita Gjyriqi i mbaroi studimet në vitin 1972. Erdhi e emëruar në teatrin profesionist të Fierit. U prezantuam në hollin e teatrit, i urova mirëseardhjen! Një vajzë mëse e bukur, shtatlartë. I thashë që do të jemi në shumë shfaqje partner për shkak të gjetësisë, qeshi dhe në fytyrë u shfaq një puhizë rozë. Drama e parë që u aktivizua ishte roli i ERMELES në dramën “Historia e një vajze”. Një rol që i shkonte dhe për moshën e saj të cilin e realizoi vërtetësisht bukur. Kjo dramë bëri një BUM artistik për temën që trajtonte, por hapi shumë probleme të cilën e pezulluan! Pas kesaj drame Merita u aktivizua në dramën “URA” të M. Jeros. Në dramën “Votra e huaj” ku kemi qenë partner! Kemi luajtur partner si bashkeshortë në dranën “Shtepia në Rrugicë” e Teodor Laços. Merita është shquar për një lojë realiste, konkrete e besueshme në interpretim, emocionale. Natyrë emotive me karakter shpërthyes. Në rol të bukur, të sukseshëm ka qenë në dramën “Vite të paharruara”, ERMIRA, nje rol që ajo e realizoi shkëlqyshem. Merita shquhej për zbërthimin e personazhit që i besohej, për një komunikim gjatë interpretimi. Por mbi të gjitha ka qenë dhe mbetet për mua një vajzë e shoqe e përsosur, model në tërë kuptimin njerëzor.

4. Aktor i nderuar Vasil Vaso

Një shkrim i shkurtër për Aktoren Merita Gjyriqi.

Vendimi i jote për të shkruar një shkrim monografik për patrioten tënde, tregon dashurine dhe respektin që keni për të dhe kjo lartëson figurën tënde.

Si çdo gjë, edhe Jeta e njeriut, ka një fillim dhe një mbarim.

Sapo kish mbaruar Teatri i ri i Fierit. Estrada funksiononte që në vitin 1957, disa vjet më vonë u krijua dhe Teatri Profesionist. Dhe erdhen shumë aktorë, që sapo kishin mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë. Njëra prej tyre ishte dhe Merita. Çdo njeri në punë, bëhet kurioz të njihet me ta, ndërsa spektatori i njeh në interprertim në skenë. Merita ishte nga Tropoja, ardhur në një qytet tjetër me zakone të tjera. Unë vetë isha nga skaji tjetër, nga Jugu. Shikoja një vajzë me shtat të lartë, me fytyrë të bukur dhe të pastër, dhe me një të folur jo malësoreshe, por shumë të zbutur. Vetë personi i ardhur, shikon se si e trajtojne shokët dhe a egziston ndonjë nënevleftësim për shembull, në ndarjet e roleve? Këtë e di më mirë ajo vetë, po unë duke e ndjer pak këtë fenomen, kur vume në skenë Komedinë “ Kërkohet një Genjeshtar “, i propozova regjisorit që Merita, të merte rolin kryesor për femrar, dhe ajo punoi, dhe e realizoi me sukses. Ky është dhe kujtimi i saj më i bukur, në prag të daljes në pension, se shumë aktivitete të tjera nuk janë filmuar. Tani mbetet ti uroj.: Vite të Gëzuara në vazhdim të jetës së Saj, me shendet dhe nga pak Aktivitet.

Ky shkrim monografik iu kushtua karrierës dhe jetës artistike të deritanishme të aktores Merita Gjyriqi. Një shkrim i mbyllur këtu për momentin, me synimin që në të ardhmen ky shkrim të finalizohet në një liber monografik. 

 Të dhënat dhe informacionet janë marr nga vetë personazhi i këtij shkrimi monografik, aktorja Merita Gjyriqi,  si dhe fare pak të dhëna janë marr tek portali i Bashkisë së Fierit.

Realizoi: Xhane Sherif Imeraj; Maj 2020 – Tiranë 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi, sipas nenit 80, ligji 35/2016

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re