Kancelarja gjermane, Angela Merkel filloi sot në mbrëmje bisedimet me presidentin e social-demokratëve, Martin Schulz, në përpjekje për të nxjerrë Gjermaninë nga kriza politike.
Takimi mes kancelares konservatore, Angela Merkel dhe Martin Schulz, që u zhvillua në Berlin në zyrën e presidentit, Frank-Walter Steinmeier, ndërmjetësues në këtë krizë, filloi ashtu si ishte parashikuar rreth orës 20:00.
Ky takim synon krijimin e një aleance të mundshme në kuadër të formimit të një qeverie. Si konservatorët ashtu dhe socialdemokratët duhet të presin ditën e nesërme dhe bisedimet e brendshme, para se të flasin për rezultatet e para të takimit.
“Për Merkel, kjo është një luftë për mbijetesën e saj politike që ka filluar”, thekson “Spiegel” duke shtuar se “Merkel duhet të bëjë gjithçka për të formuar këtë aleancë, e vetmja e pranueshme për t’i siguruar një pushtet të qëndrueshëm”.
Për më shumë se një muaji vendi është drejtuar nga një qeveri e ngarkuar për drejtimin e punëve të përditshme, me kancelaren konservatore në krye.
Sipas një sondazhi të publikuar sot, pjesa më e madhe e gjermanëve, rreth 61 për qind u shprehën në favor të hapjes së negociatave për këtë çështje.
Takimi i sotëm, ku mori pjesë kreu i CSU-së, Horst Seehofer, do të vendosë bisedimet në rrugën e duhur. Por, negociatat për një qeveri të mundshme të përbashkët nuk do të fillojnë para janarit 2018.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re