Dy avionë charter të mbushur me azilkërkues do të mbërrijnë nga Gjermania në Itali më datë 9 e 19 tetor duke kthyer pas të gjithë emigrantët të cilët përmes territorit italian kanë hyrë në Europë e më pas në Gjermani duke kërkuar strehim.
Lajmi është bërë i ditur nga Stephan Reichel, kryetari i shoqatës “Matteo”, i kishave katolike e protestante që ndihmon azilkërkuesit në Gjermani , i cili në një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica” informon se të gjithë azilkërkuesve të regjistruar dhe identifikuar fillimisht në Itali dhe që më pas kanë lëvizur drejt Gjermanisë u ka ardhur letra e largimit të detyruar nga territori gjerman, më datat 9 e 19 tetor.
Madje do të udhëtojnë me fluturime speciale charter nga Berlini drejt Romës e Milanos.
Janë të gjithë emigrantë që sipas normativës europiane të Traktatit të Dublinit duhet të jetë vendi i parë ku ata kanë hyrë në Europë, pra Italia e cila merr përgjegjësinë për pranimin ose jo të kërkesës së tyre për azil.
Sipas avokates gjermane, Petra Haubner, e cila asiston azilkërkuesit në Gjermani ,gjatë muajve të fundit ka pasur një përshpejtim të jashtëzakonshëm të procedurave nga ana e autoriteteve gjermane për kthimin pas të emigrantëve të zbarkuar fillimisht në Itali e që ma pas kanë lëvizur drejt Gjermanisë.
“Çdo ditë , thotë ajo të, paktën një azilkërkues apo një familje e tërë largohet nga territori gjerman drejt vendeve ku ata kanë hyrë për herë të parë në Europë. E shumica e tyre vijnë nga Italia.”
