Dyshja që po tenton të mbajë në këmbë Europën, e ta rithemelojë atë në një kuptim, Merkel – Macron, ranë dakord për të krijuar një buxhet në eurozonë, i cili të ketë për qëllim rritjen e investimeve dhe promovimin e një koordinimi ekonomik mes 19 shteteve anëtare të saj.

Ky akt i paraprin përgatitjeve për samitin e liderëve evropianë më 28 dhe 29 qershor.

Macron dëshiron reforma të gjera për të fuqizuar dhe mbrojtur eurozonën nga krizat e ardhshme, ndërsa Merkel, edhe pse me të njëjtin vizion, është më e kujdesshme, komentojnë mediat.

Ajo tha se reforma e eurozonës ishte çështja më komplekse në bisedimet mes tyre, të mbajtura në Meseberg, pranë Berlinit.

“Po hapim një kapitull të ri”, tha Merkel pas bisedës.

“Bashkimi ekonomik dhe monetar mund të mbetet i paprekur vetëm nëse politikat ekonomike shkojnë drejt të njëjtit qëllim”, tha kancelarja gjermane.

Merkel shprehu optimizëm se qeveria e saj dhe parlamenti gjerman do të mbështesin reformën e eurozonës.

 Macron nga ana e tij tha se buxheti i ri i përbashkët i eurozonës do të nis në vitin 2021.

Për detajet e buxhetit, duke përfshirë vlerën e tij dhe se si do të mbahet nga burimet kombëtare apo nga taksa e përgjithshme në eurozonë, do të bihet dakord para fundit të vitit, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re