Angela Merkel ka filluar negociatat në përpjekje të krijimit të qeverisë së saj të katërt në Gjermani.
Por, këtë herë, kancelarja do i fillojë ato e dobësuar nga zhgënjimet elektorale dhe hendeqet ideologjike mes partnerëve të mundshëm.
Partitë CDU dhe CSU, familja e saj politike konservatore, kanë filluar bisedime paraprake me liberalët e FDP-së.
Më pas do të vijojnë ato me të Gjelbërtit, ndërsa të premten do të gjenden të gjithë në një tavolinë.
Matematikisht, vetëm kjo ndërthurje katërshe, që në letër nuk është natyrale, është e mundur të krijojë një koalicion maxhoritar në dhomën e deputetëve pas vendimit të socialdemokratëve për t’iu bashkuar opozitës.
Por, kryetarja gjermane e paçmontueshme duket se është përballë një ekuacioni të pamundur që prej legjislativeve të 24 shtatorit që ajo i fitoi me rezultatin më të dobët për kampin e saj që prej vitit 1949.
Stuhitë
Nëse ajo do mandatin e katërt si kancelare, Merkel nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të bëjë të bashkëjetojnë centristët si ajo vetë, konservatorët që duan të shkojnë edhe më djathtas si bavarezët e CSU-së, të Gjelbërtit që janë të përçarë dhe liberalët që janë shumë kërkues.
Duke përdorur metaforën “Xhamajka” për këtë aleancë, duke iu referuar ngjyrave të partive të njëjta me ato të flamurit të këtij ishulli të Karaibeve, një përgjegjës i CSU-së, Alexander Dobrindt u shpreh se në atë pjesë të botës ka shpesh herë stuhira.
Temat ku ndahen janë të shumta.
Nga imigracioni tek reforma e Bashkimit Evropian, nga tranzicioni energjetik tek ai fiskal, gati asnjë temë nuk duket se i bashkon këto formacione.
Për të prishur më shumë punë, të dielën partia e Merkelit humbi një zgjedhje rajonale në Saksoninë e Poshtme, që dy muaj më parë duke si e fituar.
Ky dështim i jep edhe më shumë peshë zërave të djathtë të CDU-së dhe mbi të gjitha të CSU-së që i afrohen atyre të partisë AfD, një formacion i ekstremit të djathtë që ka realizuar një hyrje të bujshme në Bundestag.
Pavarësisht gjithçkaje, kancelarja garantoi dje se hyn në këto bisedime plot besim dhe pohoi se nuk është në një pozicion të dobësuar.
Fillimi i fundit
Në rastin më të mirë, Gjermania do të ketë qeverinë e saj të re për Krishtlindje.
Në rastin më të keq, nëse dështohet, zgjedhje të parakohshme do të zhvillohen, që do të ishte hera e parë për këtë vend ku mbretëron gjithnjë kultura e kompromisit që prej vitit 1945.
“Është e qartë për ne se këto nuk do të jenë bisedime të lehta”, thotë Merkel.
Shefi i FDP-së, Christian Lindner, ka kërkuar që këtë javë për partinë e tij vendin shumë të dëshiruar të Ministrisë së Financave, pas largimit të konservatorit Wolfgang Schauble. Një portofol që Merkel nuk është e gatshme ta lëshojë lehetë.
Për shumë media, vështirësia për të krijuar një qeveri dhe dobësimi i Angela Merkel në vetë partinë e saj tregon fillimin e rënies së kancelares pas 12 vitesh në pushtet.
“Ky është një fenomen i çuditshëm një po jeton Gjermania. Po negociohet një koalicion që asnjë prej partive në fjalë nuk e do në të vërtetë dhe njëkohësisht aureola e shefes së qeverisë venitet dhe fuqia e saj po shëmbet”, vlerëson në faqen e saj të internetit revista shumë popullore “Der Spiegel”.
Ndërkohë në radhët e opozitës po përgatiten që tani armët.
“Merkel është goditur ndjeshëm (…) është atmosfera e fundit të një epoke”, thekson Carsten Schneider, një përgjegjës socialdemokrat./ATSH/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re