Kryeministri Edi Rama përfundoi turin e tij elektoral në veri dhe verilindje të vendit, ku socialistët pritet të marrin rezultate më të dobëta sesa në pjesën tjetër. Pas Shkodrës, ai ka qenë dje në qarkun e Dibrës ku shpresat për fitoren e kandidatëve socialistë janë ende të forta. Për shanset e socialistëve në veri të vendit foli edhe analisti dhe gazetari Mero Baze në “Tema e Ditës”.

Garën për Bashkinë e Shkodrës, Mero Baze e cilësoi si historike pasi bëhet fjalë për dy kandidatë që vijnë të dy nga e djathta. Ai përmenti një sërë faktorësh si problematikat brenda PD apo profilin e kandidatit të PS-së, Benet Beci, të cilat sipas tij, mund të përmbysin rezultatin në Shkodër.

“Është një garë të kandidatit të djathtë dhe të Benet Becit që ka edhe ndihmën e socialistëve. Ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndryshuar gjeografinë elektorale të Shkodrës siç është lëvizja e një prej faktorëve të LSI që ka shkuar në koalicion me PD por edhe një grupim brenda partisë së djathtë në Shkodër, e cila ka pakënaqësitë e veta dhe këto mund të jenë një faktor që mund të ndryshojnë rezultatin. Nga ana tjetër, edhe vetë profili i Becit si ish drejtor i Fondit të Zhvillimit i ka dhënë atij identitetin e njeriut që po sjell në Shkodër investime.“, tha Baze.

Sa i përket qarkut të Dibrës, gazetari theksoi se PS është favorite në shumicën e bashkive.

“Kemi zhvillime në Dibër ku mendoj se shumica e bashkive mund të merret nga PS, bashkia e Peshkopisë, e Matit dhe Bulqizës. Klosi është në pikëpyetje. Ndërsa në Lezhë është më në favor “Baashkë Fitojmë”, ku ka të sigurt Laçin, në pikëpyetje Rrësheni dhe në garë Lezha.“, shtoi Baze.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re