Nga Xhamitë e Tiranës

Perse sulmohet Elvis Naçi?

Do të donim të kishim më shumë imamë që të sulmoheshin, sepse kur të sulmojnë njerëz si Mustafa Nano, Berat Buzhala, Mero Baze, Karlo Bolino e shumë të tjerë tregon që ky imam po i shërben vendit. E them kështu sepse nëse ndonjë nga ju do të numërojë një të mirë që shoqëria ka nga këta analistë apo portalet e tyre do të ishin më të besuar edhe në shkrimet e tyre. Po pse e sulmojnë Elvis Naçin?

Ata më parë kanë sulmuar edhe imamë të tjerë, por sot janë përqëndruar tek Elvisi? Ata më parë janë marrë me Kuranin, me Hadithet, me Profetin a.s, po ju pyes ju pse?
Karlo Bolino në portalin e tij godet, se përse Elvisi nuk ka filluar ndërtimet në Thumanë? A mund të besohet se Karlo dëshiron që Elvisi të ndëtojë pa leje? Karlo Bolino i gazeta shqiptare apo report tv janë media pranë qeverisë. Pse shqetësohet Karlo Bolino dhe Mero Baze që Elvisi në terren po kërkon të verifikohet çdo rast që amaneti i bamirësit të shkojë aty ku ka nevojë nevojtari? A nuk e di thua Karlo dhe Mero se të ndërtohet një lagje e re ka nevojë për projekt, shpronësim dhe se ndërtimi i qindra shtëpiave do të sjellë çmime më të lira për metër katror, do të thotë më shumë shtëpi për nevojtarët?
Pse sulmohet Elvisi kur lagjet e reja, do të sjellin edhe integrim, më shumë mundësira ekonomike dhe më shumë jetë komunitare?

A nuk thotë Zoti ; … kur ta bëni një punë perfeksonojeni atë… ?
Nëse do të ishte vetëm për shkrimet e këtyre analistëve apo portalet e tyre, faqja “Xhamitë e Tiranës” nuk do të merrte mundimin të sqaronte opinionin, por kur shikon që ka edhe individë prej nesh besimtarët që kënaqen dhe i bëjnë shpërndarje lajmeve të rreme vetëm pse ty nuk të pëlqen Elvisi si imam, ke shkelur së pari rregullin e thjesht kuranor; “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (Kur’an, 49: 6)

A mund të bëhesh me Berat Buzhalën që tallet nëpërmjet Elvisit me Kuranin Famëlart, se njeriu është i krijuar jo nga Zoti por prejardhja e tij është nga majmuni.
A mund të shpërndash sulmet e Mustafa Nanos që për hir të audiencës, tregoi historinë perverse të Mariglenit. Në emër të lirisë kërkojnë të përhapin antivlerat në shoqëri.
E ndjejmë si detyrë të mbrojmë çdo imam që përhap vlera në shoqëri, që ndihmon të varfërin, që ushqen jetimin.

E nëse për Elvisin sot shpifin, edhe për Profetin Muhammed a.s kanë shpifur, edhe për Isain (Jezusin) kanë shpifur. Gjithmonë ka patur dhe do të ketë Ebu Leheb. Puna është që tek Zoti do të dalim duke pasuar Profetët dhe rrugën e tyre apo Ebu Lehebët? Gjithsecili ka sy të shikojë dhe veshë të dëgjojë. Nëse Buzhala, Mero Baze, Mustafa Nano, Karlo Bolino, i kanë dhënë shoqërisë më shumë se Elvisi, duke ndërtuar shtëpi, duke shpëtuar jetë, na thoni edhe neve të bëhemi krahë me ta.

Elvisi nuk ka reaguar asnjëherë vetëm se me shprehjen “Zot fali”, nuk ka nevojë as për mbrojtjen tonë, por si faqe po zgjedhim mes këtyre analistëve dhe Elvisit, po zgjedhim krahun me të cilin jemi. Me atë që fërkon kokën e jetimit, që ndihmon skamnorin, të sëmurin dhe jo me portalet që i varfërojnë shqiptarët duke gjobitur qeverinë.

Përshtati: Xhamitë e Tiranës

*Opinionet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Berati.TV