Pritet që të marrin fund telefonatat e padëshiruara që vijnë nga “Call Centera” në Shqipëri të cilat shesin kryesisht: Dyshek, filtra uji, mobilje dhe shumë produkte të tjera.
Përmes një projektligji që është në konsultim publik parashikohet krijimi i një regjistri për shqiptarët që nuk dëshirojnë të kontaktohen nga ofruesit e shërbimeve të reklamimit.
Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale, Besnik Dervishi thotë: “Kjo është një praktikë europiane, kryesisht bazuar në modelin francez e Italian; do të funksionojë shumë thjesht. Me miratimin e ligjit do të ketë një fushatë ndërgjegjësuese, ku cdo qytetar do të jetë i lirë të regjistrohet pranë zyrës së Komisionerit dhe ku do të deklarojë se nuk dëshiron të ketë thirrje të tilla, komunikime të cilat mund të themi që janë bërë të bezdisura për sa i përket qytetarëve, kemi pasur shumë ankesa”.
Rregullat e reja synojnë të mbrojnë privatësinë dhe të zvogëlojnë riskun e keqpërdorimit të të dhënave personale. Regjistri ka si qëllim t’i jap fund fenomenit shqetësues të komunikimeve promocionale apo edhe mesazheve gjatë fushatave zgjedhore nga partitë politike pa dëshirën e shqiptarëve.
Në rast të komunikimeve të padëshiruara edhe pas emrit në regjistër, ofruesit e shërbimeve do të gjobiten deri në 1 milionë lekë.
