Një shtetas shqiptar 33-vjeçar është rikthyer në burgjet e Larisës, pas 11 vitesh liri.

33-vjeçari kishte arritur të arratisej nga Gjykata e Larisës pak para orës 2 pasdite të datës 18 qershor 2013, ndërkohë që më herët Gjykata Treanëtarëshe e Apelit Penal të Larisës i kishte shqiptuar një dënim total prej 17 vitesh burg, duke e shpallur fajtor për pjesëmarrje në bandë, dëmtimin fizik dhe grabitjen, të kryera në Larisa nga qershori deri në tetor 2012.

Sipas mediave greke, 33-vjeçari, i cili njihej edhe me pseudonimin Jambo apo Dumbo, për tiparet e fytyrës, ishte bërë “dhimbje koke” për ata që kalojnë në zonën e Doganës së Larisës.

Pas arratisjes së tij, nga Prokuroria e Larisës u lëshuan dy urdhër-arreste evropiane, si rezultat i të cilave ai u arrestua në Londër më 12 gusht 2021 dhe dy vjet e gjysmë më vonë, më 22 shkurt 2024, u dorëzua tek autoritetet greke.

Kështu, pardje dhe në kuadër të një vendimi bashkimi të Gjykatës Njëanëtare të Apelit Penal, ai u rikthye në Burgjet e Larisës, për të vuajtur dënimin për veprat për të cilat ishte dënuar. Pas vendimit, ai pritet të vuajë 15 vjet burg, pra deri më 22 shkurt 2039.

Grabitja me dhunë

Sipas hetimeve të Drejtorisë së Sigurisë së Larisës, 33-vjeçari së bashku me pesë të rinj të tjerë (përfshirë katër bashkatdhetarë dhe një të mitur nga Larisa) dhe një numër të panjohur bashkëpunëtorësh nga qershori deri në tetor 2012 kanë grabitur dhe rrahur shtetasit, të cilët kalonin me makinën e tyre nga rruga e Martalit në zonën e Doganës.

Sipas shkresave, autorët “u afroheshin viktimave në befasi ose duke u kërkuar çakmak apo cigare dhe më pas i grabitnin me dhunë, kryesisht duke ua marrë paratë që kishin me vete dhe celularët”.

Sipas denoncimeve, teksa njëri nga të pandehurit i kërkonte shoferit që kalonte t’i jepte një cigare, tjetri nga autorët hapte papritur derën e pasagjerit dhe më pas, autorët grabisnin me dhunë viktimat e tyre.

Biznesi në Londër

Më datë 18 qershor 2013, 33-vjeçari është sjellë para Gjykatës së Apelit Penal tre anëtarësh të Larisës, ku është shpallur fajtor për veprat e bandës, lëndime trupore në tre raste dhe grabitje në gjashtë raste.

Gjithashtu, sipas të njëjtave informacione, 33-vjeçari ka përfunduar në Mbretërinë e Bashkuar, ku punonte në biznesin e tij, por me rastin e veprimtarisë së tij të paligjshme është arrestuar. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re