Skip to content

Merr fund ‘saga’ e zgjedhjeve! Kolegji Zgjedhor ‘vulos’ rezultatin e 11 majit për Elbasanin, Durrësin dhe Fierin! Rrëzohen ankimimet e PD

Kolegji Zgjedhor vulosi sot rezultatin e 11 majit për qarkun e Elbasanit, Durrësin dhe Fierin, duke rrëzuar ankimimet e PD-së që kërkonte përsëritje zgjedhjesh. Vendimi i Kolegjit vjen pasi opozita u rrëzua edhe në KAS pavarësisht pretendimeve të saj për manipulim dhe vjedhje zgjedhjesh.

Në Gramsh e Peqrin, rihapja e kutive rrëzoi alibinë e PD-së për manipulim votash përmes fenomenit të trenit bullgar. Edhe në Durrës, ku u hapën pjesërisht disa kuti, nuk pati ndryshime.

Për Fierin, në mbledhje përfaqësuesi ligjor Marash Logu pretendoi se rinumërimi solli rirenditje të kandidatëve teksa përmendi rastin e Zegjine Çaushit, e cila humbi mandatin me një diferencë të pakët përballë kandidates tjetër socialiste Maldrita Bardho, por që kjo e fundit u tërhoq, duke ia lënë sërish vendin në Kuvend Çaushit.“Kemi evidentuar në mënyrë të qartë mënyrën sesi janë përdorur burimet shtetërore. Në qarkun e Fierit kemi patur denoncime konkrete si u përdorën punonjës të Bashkisë së Fierit për të marrë pjesë në takime elektorale, apo punësimet elektorale.  Paralelisht me kërkesën ankimore tonë, ka pasur edhe një kërkesë të Shqipëria Bëhet, ku u bë rinumërim dhe në fakt risolli rirenditjen e kandidatëve dhe fitimin e mandatit të Zegjine Çaushit nga Maldrita Bardhi. Ky proces tregoi edhe marrjen e shumë votave të padrejta nga Ceno Klosi.”, tha ai në mbledhje.

Kandidatja socialiste Maldrita Bardho sot ka dorëzuar në KQZ dorëheqjen për t’ia lënë vendin e saj Zegjine Caushit edhe pse e mundi me 10 vota më shumë nga rinumërimi.

“Sikurse e dini unë Maldrita Bardho jam kandidate për deputete për zonën zgjedhore qarku Fier, e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.

Nëpërmjet këtij akti, me vullnetin tim të plotë dhe të lirë, në përputhje me interesin tim profesional dhe personal, deklaroj se heq dorë nga kandidimi dhe qënia në listën shumemërore të kandidatëve për deputet të subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, për qarkun Fier.

Kërkoj të mos shpallem kandidate fituese si dhe të mos më jepet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë në asnjë rast dhe për asnjë arsye”, shkruan ajo në letrën e KQZ.

Me vendimin e Kolegjit Zgjedhor i hapet rruga KQZ-së të certifikojë përfundimisht rezultatin në këto qarqe dhe të shpërndajë mandatet për deputetët e zgjedhur më 11 maj në këto 3 qarqe të mbetura.

Në Elbasan PS mori 10 mandate, PD 4 mandate. Në Durrësi u nda 8 me 6 për PS, ndërsa në Fier PS mori 14 mandate dhe PD vetëm 4.