16 dhjetor Në Berat po merr jetë një tjetër investim i qeverisë shqiptare në rrugën pa kthim të transformimit të sistemit shëndetësor, materniteti i ri i qarkut, që do t’i ndryshojë njëherë e mirë faqen, shërbimit të nënave të reja, duke e kthyer nga simbol të harresës së dekadave të tëra, në shembëlltyrë të standardeve europiane.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama,  i cili theksoi po ashtu se “bashkë me ardhjen e fëmijës në jetë vjen në maternitet edhe çeku i bebes për çdo lindje, nga 40 mijë lekë të reja për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin e deri 120 mijë për të tretin e më tej”.

Pak kohë më parë, Banka Botërore e renditi Shqipërinë ndër 10 vende të botës që kanë pasur një përmirësim të dukshëm dhe të mirë në tregues të lidhur me arsimin dhe shëndetësinë me një fokus të veçantë zhvillimin e fëmijëve, që sipas raportit pati një përmirësim me më shumë se sa dy herë.

Në fakt, forcimi dhe fuqizimi i shërbimeve që lidhen me nënat dhe fëmijët ka qenë dhe mbetet një prioritet absolut i qeverisë shqiptare i materializuar edhe nëpërmjet investimeve infrastrukturore që janë të domosdoshme dhe jetike për këto shërbime.

Maternitetet e reja janë materializim i këtij prioriteti. Ashtu si në Lezhë dhe në Kukës ku po punohet për maternitetet e reja të qarqeve edhe në Berat po vijon puna në kantierin për një maternitet të ri të standardeve moderne europiane, që do të hapi njëherë e mirë një kapitull të ri për shërbimin që do t’u ofrohet nënave dhe fëmijëve të këtij qarku.

Edlira Shkëmbi, mjeke obstetër gjinekologe tha për ERTV se ky është ndër investimet më të rëndësishme për spitalin tonë. “Është një godinë dykatëshe me hapësira të bollshme me kushte shumë të mira. Është lajm shumë i mirë, ne kemi kohë që e presim këtë investim. Kati i parë ka hapësira të mëdha, ka hollin dhe shërbimin ambulator. Gjithashtu ka edhe shërbimin e gjinekologjisë. Shërbimin ambulator përfshin vizitat e pacientëve, kolposkopinë, ekografinë, vizitat e neonatologjisë, shërbimin gjinekologjik, hospitalizimin, interventet 24-orëshe, sallë operacioni në kat të parë dhe pastaj pjesa tjetër që është në kat të dytë”, tha ajo.

“Unë kam 35 vjet punë në maternitetin e Beratit dhe dhe mezi presim që ne të fillojmë punë këtu, të vijmë sa më shpejt në këtë ambient”, u shpreh një infermiere.

“Një e ardhme më e bukur për bebat që do të vijnë në jetë në këtë maternitet të bukur”, u shpreh një tjetër.

Sipas mjekes Shkëmbi, “dhomat janë të mëdha, me dritë dhe me të gjitha kushtet e nevojshme dhe pajisjet mjekësore të nevojshme gjithashtu”. “Këtu kemi jo vetëm shtim kapacitetesh në numër shtretërish, numër dhomash, numër kabinetesh, por sidomos këto në një cilësi shumë të mirë. Ndryshimi nga ambientet ku ne kemi qenë, në godinë 1-katëshe me 5-6 paciente në dhomë, pa tualete, pa kushtet minimale, në gjendjen ku ne kalojmë është shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm dhe shumë jetik”, tha ajo.

Ndërkohë në katin e dytë të këtij materniteti ndodhet pjesa tjetër e shërbimit, ku janë pavionet e obstetrikës, neonatologjisë, sallat e operacionit. Lëvizja e pacientëve nga kati i parë në katin e dytë bëhet nëpërmjet sistemit të ashensorit, ndërsa kati i dytë është për pacientet e hospitalizuara.

Sipas shefit të shërbimit, Gentian Kusta “materniteti i Beratit ka rreth 50 shtretër dhe në këto kushte plotësojmë si shërbim qarkun, edhe Skraparin, Poliçanin dhe Kuçovën”.

“Jo vetëm i sigurojmë shërbimin por kemi edhe cilësi në shërbim, minimizohen në maksimum problemet postoperatore. Por janë edhe investime me përfitime ekonomike të mëvonshme, sepse duke zvogëluar operacionet post operatore, duke ulur mortalitetin perinatal, ne do të kursejmë më shumë për të ardhmen. Gjithmonë  sëmundshmëria shton shpenzimet”, tha ai.

Mjeku Kusta tha se materniteti ka 2 salla operacioni, një më e madhe dhe një tjetër më e  vogël për urgjencat, që do kompletohen me pajisjet e reja për bllokun operator.

“Një gjë mund të thuhet me siguri, se ky maternitet ofron kushte shumë të mira jo vetëm për pacientët, por edhe për stafin mjekësor. Ky investim është super dhe ne do të punojmë në kushte optimale. Falënderoj ministrinë për këtë investim në maternitetin e Beratit dhe këtë premtim të mbajtur”, u shprehën bluzat e bardha. /m.m/j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re